Ka përfunduar fushata e korrje-shirjeve në Komunën e Kamenicës
Procesi i korrje-shirjeve ka filluar më 11 korrik 2026 me korrjen e sipërfaqeve të mbjella me elb, ndërsa nga 14 korriku ka filluar korrja e grurit. Në fazën e fundit është realizuar edhe korrja e sipërfaqeve të mbjella me tërshërë, në Komunën e Kamenicës.
Fushata ka përfunduar më 9 gusht 2026.
Gjatë këtij viti, në Komunën e Kamenicës janë korrur gjithsej 1,470 hektarë, prej të cilave:
1,250 hektarë grurë, me rendiment mesatar rreth 4,000 kg/ha;
70 hektarë elb, me rendiment mesatar rreth 3,500 kg/ha;
100 hektarë tërshërë, me rendiment mesatar rreth 2,300 kg/ha;
50 hektarë tritikale.
E gjithë sipërfaqja e korrur i përket sektorit privat.
Sipas të dhënave nga terreni, rendimentet e sivjetme kanë qenë pak më të mira krahasuar me vitin e kaluar, njofton Komuna e Kamenicës. Në disa ngastra janë evidentuar rendimente mbi 4,000 kg/ha, të cilat kanë varur, ndër të tjera, nga përgatitja dhe mirëmbajtja e tokës nga fermerët.
Në procesin e korrje-shirjeve këtë vit kanë qenë të angazhuara 29 autokombajna.
Fushata e korrje-shirjeve është zhvilluar në bazë të programit dhe planifikimit të hartuar nga DBPZHR, si dhe në përputhje me Rregulloren Komunale për Korrje-Shirje.
Komisioni përkatës ka realizuar kontrollimin teknik të autokombajnave në terren dhe i ka pajisur operatorët me dokumentacionin e nevojshëm për plotësimin e kushteve minimale teknike, si dhe me njoftimet për procedurat e korrje-shirjeve dhe masat për mbrojtje nga zjarri.
Gjatë gjithë fushatës, Komisioni ka përcjellë nga afër zhvillimin e procesit në terren, duke u fokusuar në respektimin e rregullave dhe rendit të korrjes, si dhe në cilësinë e korrjes, me qëllim të minimizimit të humbjeve të drithit.
Komuna e Kamenicës vlerëson se fushata e korrje-shirjeve për vitin 2026 është zhvilluar me sukses dhe në nivel të kënaqshëm.
Gjatë gjithë procesit nuk është pranuar asnjë ankesë nga fermerët apo kombajnerët. /2LONLINE/
