Ka ndërruar jetë Sherafedin Kadriu
Ka ndërruar jetë Sherafedin Kadriu, studiuesi letrar, poet e prozator, studiues i fushës së arkeologjisë dhe trashëgimisë shpirtërore, duke lënë një boshllëk të madh në mesin e krijuesve dhe komunitetit të gjerë gjilanas e përtej.
Lajmi për shkuarjen në amshim të Sherafedin Kadriut, e kanë dhënë familjarët e tij, të cilët përmes një njoftimi kanë shprehur dhimbjen për humbjen e më të dashurit të tyre, duke bërë të ditur se për kohën e varrimit do të njoftojnë me kohë.
Përndryshe, Kadriu ka lënë pas një trashëgimi të çmuar, vepra të rëndësishme letrare për kulturën dhe letërsinë shqiptare, por edhe për Trashëgiminë Kulturore, ku ai së fundi dha kontributin e tij si pjesë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan.
Sherafedin Kadriun e kujtojmë edhe si profesor të gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku dha kontribut të çmuar në edukimin e brezave të rinj, e kujtojmë edhe si veprimtar politik, por edhe si njeri tejet human, duke vlerësuar angazhimin dhe kontributin e çmuar që kishte dhënë, ndër tjerash edhe në SHHB “Nënë Tereza”. Ai poashtu njihet edhe si organizator i palodhur i jetës kulturore në të gjitha periudhat.
Përndryshe, pena e tij vlerësohet lartë edhe për kontributin që pati te krijuesit e tjerë poetë e prozatorë, qoftë në nismën e tyre krijuesee si frymëzues, qoftë në formësimin e tyre të mëtutjeshëm. /2LONLINE/
