/2L ONLINE/ – Në moshën 68 vjeçare ka ndërruar jetë ish – gjyqtari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Memin Sylaj. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani dhe kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Zyhdi Haziri, i kanë dërguar telegram ngushëllimi familjes për vdekjen e anëtarit të tyre.
Ndërkohë Dega e Gjykatës Themelore në Kamenicë, sot ka mbajtur një mbledhje komemorative, me rastin e ndarjes nga jeta të ish – kolegut të tyre.
Ish – gjyqtari Sylaj në vitin 1972 ka përfunduar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Pas mbarimit të studimeve, ka mbajtur disa pozita në sektorin publik, kurse nga viti 1990 e gjerë në fund të vitit 1999 ushtron profesionin e avokatit.
Në vitin 1999 emërohet gjyqtar në Gjykatën Komunale në Kamenicë, për të vazhduar punën deri në pensionim më datë 17.09.2013, ndërsa pas pensionimit ka vazhduar prapë të ushtroj profesionin e avokatit.
Gjatë punës së tij shumë vjeçare në drejtësi, kolegët dhe miqtë e kujtojnë si person të zellshëm në punë. /2L ONLINE/