Ka ndërruar jetë aktori i njohur kosovar, Adem Mikullovci. Lajmin e ka bërë të ditur gruaja e të ndjerit, Lumnije Mikullovci.
Ajo përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook ka njoftuar se burri i saj, Adem Mikullovci, ka vdekur në ora 00:20.
“Sonte pas mesnatës në ora 00:20 ndëroj jetë më i dashuri jonë Adem Mikullovci! Për informata tjera dhe ceremoninë e varrimit ju lajmërojmë”, ka njoftuar bashkëshortja Lumnije Mikullovci.
Adem Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri, kurse përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike.
Mikullovci gjithashtu ka qenë delegat i Kuvendit i cili shpalli deklaratën Kushtetuese dhe të Pavarësisë nga viti 1990-1992; si dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e kaluar.
***
Përndryshe,, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka deklaruar se Adem Mikullovci edhe si aktor, edhe si delegat që votoi Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik dhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, por edhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai gjithnjë ishte në shërbim të interesit publik dhe vendit tonë.
Postimi i plotë:
Sot qenka ndarë nga jeta aktori i njohur Adem Mikullovci. Edhe si aktor, edhe si delegat që votoi Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik dhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, por edhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai gjithnjë ishte në shërbim të interesit publik dhe vendit tonë. Kontributi i tij në art, kulturë dhe politikë do të kujtohet përgjithmonë. Ngushëllime familjes Mikullovci dhe të gjithë artdashësve, miqve dhe të afërmve të tij! HTH
***
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së aktorit të madh shqiptar, Adem Mikullovci, duke thënë se ai do të mbetet përherë frymëzim për brezat e rinj, për artin dhe për atdhedashurinë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se Mikullovci ishte pjesë e gëzimeve dhe feshtave në familjet shqiptare, shkruan
Postimi i plotë i Hotit:
Aktori i madh shqiptar, Adem Mikullovci, na paska lanë e paska ikë nga kjo botë, por vepra e tij asnjëherë nuk do të na lërë.
Ai ishte përherë pjesë e gëzimeve dhe festave në familjet tona. Me veprat e tij artistike dhe dashurinë që kishte ndaj të bukurës, ai ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer në artin dhe kulturën tonë.
Ai do të mbetet përherë frymëzim edhe për brezat e rinj, për artin por edhe për atdhedashuri. Përveç që ishte një artist i shkëlqyer, ai ishte edhe një atdhetarë i pashoq. Bacën Adem përherë do ta kujtojmë edhe si njërin prej delegatëve të Kuvendit të Kosovës nga vitet 1990 – 92, kur u shpall deklarata Kushtetuese dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës.
Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë komunitetit të artistëve.
Lavdi jetës dhe veprës së Bacës Adem!
***
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për vdekjen e artistit Adem Mikullovci.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se këtë javë ishin dakorduar që të takoheshin me Mikullovcin, por ky takim ju mbeti peng.
“Një takim përgjatë kësaj jave, ashtu siç ishim dakorduar, na mbeti peng Adem Mikullovci. Për pak nuk e bëmë përshëndetjen e fundit, sepse ti e mbylle perden”, shkroi Osmani.
“Sot, vendi mbeti pa aktorin e politikanin e shquar, mbeti pa një zë kritik, i cili iku me dëshirën për një Kosovë më të mirë. Mjeshtër, një është e sigurt; që ti do të mbetesh shenjë e kohës dhe që ne nuk do të pushojmë së punuari që këtë vend ta bëjmë siç deshte ti! Sipari i Teatrit për TY u mbyll për prezencën fizike, porse jo për veprat që le pas”.
Adem Mikullovci vdiq sot në moshën 80-vjeçare.