Ka momente në histori kur heshtja bëhet padrejtësi
Nga: Arlind Vokshi
Thirrje gjithëkombëtare për Protestë – Shkup, 13 dhjetor 2025
Ka momente në histori kur heshtja bëhet padrejtësi. Nesër, nuk është thjesht një protestë është zëri ynë, është kujtesa jonë, është nderi ynë.
Sot, në Hagë, padrejtësia mban prapa grilave Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe shumë të tjerë. Burra që në kohën më të errët ngritën dritën e lirisë. Burra që nuk u dorëzuan, për të mos u dorëzuar as ne sot.
Ata nuk janë vetëm emra janë histori, janë sakrifica, janë themelet e lirisë sonë. Dhe kur themelet goditen, shtëpia nuk hesht. Ngrihet! Qëndron! Flet!
Nesër, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, ora 13:00, le të bëhemi një. Le ta tregojmë se drejtësia nuk mbyllet në qeli. Se e vërteta nuk frikësohet nga koha. Se kombi nuk harron bijtë e vet.
Hajde, bashkohuni për zemrat që rrahin për liri, për zërat që sot nuk dëgjohen, për ata që mbajnë padrejtësisht barrën e historisë që të gjithë e jetojmë.
Nesër protestojmë, jo vetëm pse duhet por pse nuk guxojmë të heshtim.
Në fund, le të kujtojmë një të vërtetë që nuk plaket kurrë: “Liria ka çmim, por padrejtësia ka kufi”. /2LONLINE/
