Kanë filluar punimet në rregullimin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Ballancë.
Kryetari i komunës, Sokol Haliti ka vizituar punimet që po bëhen në këtë fshat dhe ka thënë se Komuna e Vitisë do të vazhdojë me projekte të cilat janë të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve, siç është edhe ky projekt i kanalizimit në Ballancë.
Ai gjithashtu ka kërkuar që punimet të kryhen në përpikëri dhe krahas dinamikës së punës, me cilësi e kualitet.
Kurse kryetari i këshillit të fshatit Ballancë Valon Latifi, ka thënë se ky projekt është shumë jetik për banorët dhe ka shprehur falënderim për Institucionet komunale, për realizmin e projekteve që po bëjnë në këtë lokalitet.
Vlera e këtij projekti është mbi 110 mijë euro, ndërsa financues është komuna e Vitisë, kurse punimet pritet të përfundojnë gjatë kësaj vere.