/2L ONLINE/ – Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, pas rrugëtimit të saj shtatëditor ku në shtatë mbrëmje u dhanë tetë shfaqje, u përmbyll edhe me dhënien e çmimeve . por jo të gjitha çmimet e parapara nga organizatori edhe u ndanë.
Ishte publiku ai që në këtë Festival të sivjetmë u vlerësua më së shumti për interesimin e madh të shprehur, sa që siç u tha në shaka, edhe i theu dyert e teatrit, gjë që nuk ka ndodh askund tjetër. (në mbrëmjen e parafundit nga turma e madhe që dëshironte të hynte brneda ishte thyer xhami i dyerve në hyrje të teatrit).
Dhe, si u la të nënkuptohej ishte pikërisht publiku që dukej të këtë bindur jurinë që jo edhe të gjithaq çmimet të ndahen duke përçuar porosinë kështu se jo çfarëdo shfaqje e sido e realizuar, mund të vije në këtë Festival, e të dalë para një publiku të tillë. Ata që me shfaqjet e tyre do të ja mësyejnë skenës së Teatrit në Gjilan, për t’u bërë pjesë e “Talias…” në të ardhmen, do të duhej të mendojnë mirë e mirë , për të sjellë më të mirën e mundshme.
Sido që të jetë, Juria e këtij festivali në përbërje nga Drita Begolli, Bajrush Mjaku edhe Milto Kutali kishin vendosur që çmimet për shfaqjen më të mirë, regjinë më të mirë dhe skenografinë më të mirë, të mos e ndajnë. Ndërsa, nga ato pesë çmime tjera që u ndanë, aktorja më e mirë e festivalit u vlerësua Aurita Agushi, aktori më i mirë Ismet Azemi, Teksti më i mirë, Doruntina Basha (shfaqja “Gishti”), aktorja më e mirë në rolin dytësor Driada Matoshi, dhe aktori më i mirë në rolin dytësor Bujar Lako.
Por, jo të gjithë vlerësuan vendimin e jurisë. I pari që reagoi ishte Naser Shatrolli autor dhe regjisor i shfaqjes “Karramele”, kur doli ta marrë çmimin n ëçvend të Driada Matoshit, e cila mungoi, dhe e cila ishte vlerësuar për rolin më të mirë dytësor. Arsyetimi i Shatrollit ishte se Driada Matoshi kishte rolin kryesor, e jo dytësor në shfaqjen “Karramel”, dhe se ishte e pakuptim të vlerësohej nga juria ndryshe.
E i revoltuar duket të jetë edhe aktori gjilanas Avni Shkodra i cili shprehet se organizatori do të duhej me i pas thënë Jurisë me dal edhe njëherë në skenë e me korrigjua veten, me e nda çmimin mirë pas vërtetimit të gabimit.
E zëri edhe më kritik i aktorit Avni Shkodra i cili edhe vet ishte pjesë e një shfaqje në këtë Festival (“Jetë me qera”), ishte në lidhje me faktin që nuk u dhanë nga juria tri çmime qe ishin parapa me u dhënë nga organizatori.
Shfaqja më e mirë, regjia më e mirë dhe skenografia më e mirë. Dhe, Shkodra vlerëson se në bazë të kësaj po del se Juria nuk ka ditë të vlerësojë për këto tri çmime apo edhe ka mendua se asnjë shfaqje nuk i meritoi këto çmime.
Por ai thotë se Juria nuk thirret mos me i dhënë çmimet, po me i nda ato.
“Unë si taksapagues e artist, që kontribuoj sadopak në financimin e kësaj ngjarjeje, mendoj që duhet me u rishqyrtua ky vendim i Jurisë, edhe me u korrektua këto gabime. Përgjegjësia bie tek Juria, Bordi i Festivalit dhe organizatorët”, ka thënë Shkodra.
Përndryshe, Shfaqjet që u dhanë në këtë Festival të dramës Shqipe “Talia e flakës”, ishin:
“Jetë me qera”, e Refet Abazit, me regji të Ekrem Sopit. Teatri i Gjilanit.
“Kush e Solli Doruntinën”, Teatri “Aleksandër Moisiu”- Durrës. Nga Ismail Kadare me regji nga Leart Vasili.
“Mendje djallëzore”, Teatri “Istref Begolli” – Pejë. Me autor Blerim Haxhiaj e me regji nga Elmaze Nura.
“Lufta në kohën e dashurisë”, Teatri “Multimedial” – Prishtinë, me autor Jeton Neziraj e regji të Blerta Neziraj.
“Ushtari i dy luftërave” nga Teatri “Dodona” e ACDB, me autor Ibadete Abazi e regji të Elhame Kutllovci.
“Karramel” nga Teatri “Adriana”– Ferizaj dhe Kllapa. Autor dhe regjia Naser Shatrolli.
“Gishti” nga Teatri Kombëtar i Kosovës, me autor Doruntina Basha e me regji të Erson Zymberit.
“Kandili i Argjandit”,Teatri “Migjeni” – Shkodër, nga Martin Camaj me regji të Fatbardh Smaja.
Përndryshe, Manifestimi Kulturor “Flaka e Janarit”, vazhdon me aktivitete tjera . /2L ONLINE/