Ju që flisni në emër të Islamit, kuptojeni!

Rreshtat në vijim nuk flasin për definicionin e Islamit e as përshkruajnë dallimin mes tij dhe feve tjera. Kjo analizë pasqyron kuptimin “paqe” të Islamit i cili duhet të interpretohet drejt dhe të promovohet si paqe. Shfrytëzimi i fesë për interesa të ngushta dëmton shoqërinë shqiptare. Ky shkrim mund t’i hyjë në punë secilit që e lexon.

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

***

Askush nuk dyshon në atë se fjala Islam donë të thotë paqe, respekt dhe nënshtrim. Paqe me veten, rrethin dhe shoqërinë, respekt njeriut dhe ligjit ndërsa nënshtrim autoritetit të Zotit. Paqja, respekti dhe nënshtrimi janë tre emra të ndryshëm të një objekti të vetëm që quhet Islam.

Jeta na mëson se ajo është e mbushur me probleme e konflikte, ndërsa në kuptimin e saj fenomenal para nesh prezanton harmonitë dhe disharmonitë e saj. Kudo hasim në fushëbeteja të ashpërta. Beteja mes së mirës dhe së keqes si një fakt esencial dhe i pashmangshëm i ekzistencës, tek njeriu zhvillohet në masë më të madhe se tek qeniet tjera. Qëllimi i objektives morale është t’i zbusim problemet, t’i mënjanojmë konfliktet dhe t’i kapërcejmë këto disharmoni. Kërkesa për paqe, është kërkesë legjitime e njeriut.

Kuptimi tjetër i fjalës Islam është nënshtrim. Por kujt ti nënshtrohemi? Islami thotë se nënshtrimi duhet t’i bëhet vetëm Zotit. Këtu duhet pasur kujdes tek keqinterpretimi i fjalën nënshtrim; Nënshtrimi Zotit nuk do të thotë tkurrje e aftësisë për të qenë i lirë. Liria njerëzore, sipas konceptit islam është e gjerë. Nëse koncepti jonë mbi Zotin është i ngushtë, i ngushtë do të jetë edhe qëndrimi jonë ndaj nënshtrimit, si rrjedhojë jeta do të na ngushtohet. Zoti nuk është as dogmë, Ai është ideali dhe forca rregullative e jetës. Zoti është garancioni i vlerave të lirisë. Askush nuk guxon që në emër të fesë të tjerëve tua ngushtojë lirinë. Besimtari i lutet Zotit për arsye se Ai është burimi i pashtershëm i dashurisë, ndërsa nënshtrimi ndaj Zotit nënkupton marrje energjie nga Ai, feja e të Cilit nuk bënë të quhet dogmë. Ai është krijues i njeriut, ndaj duhet të adhurohet si Krijues e jo si ndëshkues dogmatik. Adhurimi nuk guxon të kuptohet si falënderim verbal e as të bëhet për beneficione të caktuara. Adhurimi i vërtetë është jetesa e akordueshme me dëshirën e Zotit dhe ligjeve të Tij në natyrë. Çdo sjellje e mirë është një akt adhurimi. Kur ne jemi të drejtë ndaj vetes, shoqërisë, shtetit e njerëzimit, në fakt jeta jonë merr formën e adhurimit të pranueshëm nga Zoti. Adhurimi është realizimi i idealeve tona të nënshtruara vullnetit të Zotit i cili në natyrën tonë manifestohet në forma të ndryshme. Kur Zotin e pranojmë për të drejtë, që tregon butësi, reflekton dashuri, atëherë edhe koncepti jonë mbi fenë reflekton drejtësi, butësi dhe dashuri. Ky është kuptimi real i adhurimit, ibadetit.

Sot ndjejmë nevojë të madhe për një paqe të qëndrueshme. Fillimisht ajo duhet të arrihet brenda nesh, mes teje dhe unit tënd. Tingulli i melodisë në natyrë, së pari duhet të dëgjohet në brendinë tonë. Njeriu është i pajisur me instinkte dhe emocione të cilat janë lënda e parë e jetës dhe të cilat deri në një masë konsiderohen mjete orientuese të jetës sonë. Ato nuk janë të liga, sepse Zoti nuk krijon ligësi. Kurani në mënyrë eksplicite potencon faktin se bota nuk është krijuar shkel-e-shko. Njeriu është i lindur me predispozitën e vullnetit të lirë. Të jesh i lirë nuk do të thotë të jesh pa tavan. Vullneti i lirë shndërrohet në mëkat atëherë kur ndonjëri nga instinktet tona bëhen egoiste dhe agresive. Agresivitetet janë shkelje dhe tejkalim i kufijve të arsyes, ato janë akte distinktive të njeriut. Agresiviteti është rezultat subordinar i instinktit njerëzor. Arsyeja në njeriun është zëri i Zotit, ndërsa nënshtrimi arsyes është nënshtrimi vet Zotit. Një numër i madh psikologësh mendojnë se rruga e arritjes së paqes së brendshme gjendet kur instinktet i nënshtrohen arsyes e cila e do paqen dhe priret nga virtytet e larta.

Kur dëshirat tona ia nënshtrojmë autoritetit të arsyes së shëndoshë, ato i kemi nënshtruar energjisë së brendshme e cila është më e lart se trupi material. Nënshtrimi Zotit nuk është nënshtrim ndaj asnjë autoriteti eksternal, të jashtëm, porse nënshtrim ndaj natyrës sonë që është në përputhje me natyrën e Zotit. Kurani virtytet i quan “Kufijtë e Zotit” (hududullah), ligjet të cilat njeriun e bëjnë njeri. “Kush bënë mirë, bënë për veten dhe kush bënë keq bënë kundër vetvetes”.

Njeriu, për nga natyra e vet e kërkon lirinë që është e lindur në njeriun. Liria e njeriut duhet të përkojë me respektimin e ligjit. Ai i cili anon ka thyerja e ligjit, lirinë e kërkon në thyerjen e ligjeve. Islami është mësimi mbi respektimin e ligjit. Ai beson bindshëm se Zoti është kudo, i Cili sheh dhe dëgjon gjithçka. Sipas Islamit, njeriu është i monitoruar gjithkund dhe në çdo kohë. Së këndejmi, njeriu është përgjegjës për thyerjen e ligjeve, edhe atëherë kur mendon se ruajtësit e ligjit nuk e shikojnë. Kur shkelet ligji nuk dëmtohet as ligji e as legjislatori, por vet ligjprishësi.

Besimi i drejtë jetën e bënë më të qëndrueshme. Mirëpo, nëse njeriu beson në të vërtetën dhe bukurinë e virtytit, mirëpo nuk beson në realitetin objektiv dhe internal, sipas Islamit, ky besim nuk ka bazë të fortë. Kur hulumtojmë të vërtetën, hulumtojmë Zotin, ndërsa kur bëjmë përpjekje për të gjetur harmoninë mes botës së brendshme dhe të jashtme gjejmë paqen e cila na mungon dhe e cila është ideali, alfa-omega e religjionit të vërtetë. Ky është fondamenti i të qenit i moralshëm. Të kuptuarit e jetës në këtë mënyrë është qëllimi kryesor i fesë. “Njerëzit e tillë as nuk frikohen e as tendosen lehtë”, ndërsa Muhamedi a.s. thoshte: “Jam i dërguar të përsosë moralin”. Religjioni i cili nuk podeson këto afinitete dhe nuk thërret mbi postulatin e së moralshmes, nuk është religjion i vërtetë, ai është i trilluar dhe i rrejshëm.

Në jetën religjioze jeta e njeriut i nënshtrohet ideales, realja dhe vlera e ulët i nënshtrohet reales dhe vlerës më të lartë, dëshirat personale i nënshtrohen shkakut impersonal, temporalja i nënshtrohet eternales, ndërsa partikularja universales. Aty, çdo gjë shkon nga poshtë lart. Sipas Islamit, besimi në Zotin nuk guxon të konsiderohet thjeshtë një supozim spekulativ e as hipotezë dogmatike. Zemërimi kuranor kundër politeizmit nuk është sulm i një besimi dogmatik kundër besimit tjetër e as preferencë e një teorie metafizike kundër tjetrës.

Kur Islami flet për besimin në Zot, ngjiturazi flet edhe për punën dhe kontributin. Besimi vetëm me fjalë, pa veprim, është i turbullt dhe i pamjaftueshëm. Dhe, njeriu është i predestinuar të jetojë në shoqëri, aty frymon dhe asaj duhet ti jep nga vetvetja. Ata të cilët flasin për fenë si epiqendër, gabojnë.  Njeriu është qendër. Arsyeja e dërgimit të fesë është pikërisht njeriu, dhe jo e kundërta. Ajo u shpall për t’i shërbyer njeriut, për të qenë edhe një mësues më shumë në jetën tonë, por jo i vetmi. Aspekti social është qenësori në Islam ku pesha e njeriut matet me kandarin e kontributeve tona ndaj shoqërisë dhe jetës në përgjithësi.

Së këndejmi, tani kur shoqëria shqiptare po bënë përpjekje për të sfiduar problemet që ka përpara, njerëzit dhe institucionet e fesë nuk duhet të jenë edhe një problem më shumë i shoqërisë. Ata duhet të luajnë rolin e edukatorëve të saj. Fenë duhet shpjeguar si thirrje për paqe dhe kooperim mes njerëzve. Me një rëndësi të dorës së parë, udhëheqësit fetarë do të duhet të vlerësojnë objektivat dhe rëndësinë e çështjes kombëtare dhe nacionale të shqiptarëve. Është vendimtare të përcaktohen ato. Përmbysja e një ekipe, heqja nga kolltuku i një muftiu e nga ana tjetër qëndresa e ngurtë për të mos përfillur kërkesat për ndryshime, nuk është e mjaftueshme. Objektivi në këto rrethana duhet të jetë themelimi i një Bashkësia Islame me një sistem të qëndrueshëm dhe e cila do të kishte për dert hallet e njerëzve të këtij nënqielli. Do të duhej të shpjegohej mesazhi i fundit i profetit në haxhin lamtumirës se të gjithë njerëzit janë të barabartë. Ata dallojnë vetëm sipas nivelit të devotshmërisë, të të qenit të mirë dhe kontribuues për shoqërinë. Shpjegimi i drejtë në këtë pikë do të ndikonte pozitivisht në zhvillimet e ardhshme të shqiptarëve ku domosdo duhet të dominojë paqja dhe dashuria. Kuptojmë, kjo nuk është një detyrë e thjeshtë. Ajo kërkon aftësi të mëdha strategjike, organizim dhe planifikim. Mbi të gjitha, kërkon fuqi. Shqiptarët nuk mund të shpresojnë të krijojnë një shoqëri demokratike me liri politike dhe fetare pa patur aftësinë por edhe gatishmërinë të vënë në punë fuqinë e tyre të brendshme, që i ndërlidh si komb, në mënyrë efektive. Bashkëpunimi i plotë, bindja dhe mbështetja në vetvete rezultojnë rritjen e burimeve të nevojshme të fuqisë dhe, për rrjedhojë, do të zgjerojë kapacitetin e fuqisë së kombit. /2lonline/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE