DYLON

Johanna Mikl-Leitner: Çdo 14 ditë do ta kthejmë nga një aeroplan me azilkërkues

Avatar photo Redaksia

Të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët po presin të marrin statusin e azilit në shtetin e Austrisë, së shpejti do të kthehen në Kosovë. Kështu bëri të ditur Ministrja Federale e Punëve të Brendshme të Republikës së Austrisë, Johanna Mikl-Leitner pas takimit me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa.

Ministrja Mikl-Leitner, tha se vetëm në fillim të këtij viti në Austri kanë kërkuar azil 1800 persona. Mirëpo sipas saj asnjërit prej këtyre personave nuk do t`iu jepet azili.

EkoHigjiena

Sipas saj trajtimi i lëndëve të qytetarëve që kanë kërkuar azil do të bëhet me procedurë të shpejtuar dhe se për çdo 14 ditë Austria do të kthej në Kosovë nga një aeroplan me qytetarë.

“Çdo 14 ditë do ta kthejmë nga një aeroplan me azilkërkues. Dëshira jonë është që t`i kthejmë ata që ikin nga Kosova, në mënyre që tu ndihmojmë atyre që kanë ikur nga lufta”, u shpreh ndër të tjera Ministrja Mikl-Leitner.

Ministrja Mikl-Leitner theksoi se janë deri në 30 mijë qytetarë të Kosovës që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së.

Ndërsa, kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa tha se qeveria e Kosovës përkrah qëndrimin e qeverisë austriake që të mos japë azil sepse Kosova sipas tij, është vend i sigurt.

“Unë e njoftova ministren se tek ne ka ndodhur një proces i pazakontë i një fluksi shumë të madh të njerëzve që kanë lëshuar Kosovën në muajt e fundit të vitit 2014 dhe në fillim të këtij viti, gjë që nuk është e zakonshme për këtë vend. Edhe përkundër kësaj që ka ndodhur ne do të marrim masa që të shohim arsyet e kësaj ndodhie, por që nuk shohim asnjë arsye që njerëzit ta lëshojnë Kosovën dhe të kërkojnë azil në Austri dhe në vende të tjera, për arsye se ne marrim përgjegjësi që të krijojmë kushte që qytetarët tanë të jetojnë këtu. Përkrahim qëndrimin e qeverisë austriake që të mos japë azil ekonomik dhe azil politik për qytetarët e Kosovës atje sepse konsiderojmë që ata e kanë sigurinë e plotë këtu dhe se Kosova është vend i sigurt dhe se njerëzit e tanë nuk mund të krahasohen në asnjë rast me njerëzit që shpërngulen nga vatrat e luftës nga Siria dhe vendet e tjera”, potencoi kryeministri Mustafa.

Ai tha se është mirë që qytetarët e Kosovës të kthehen sa më shpejtë nëpër shtëpitë e tyre duke theksuar se me qëndrimin atje mund të humbin shkollimin e fëmijëve apo edhe vendet e tyre të punës.