SHEFIK SHKODRA
/2L ONLINE/ – Fshati është i begatshëm me bimë të ndryshme, me ajër të pastër e ujë të kulluar, sidomos ai në malësi. Ec e ec, si thuhet, “kodër pas bregut”. Ndonjë qyqe e rrallë lëshon ku-ku-të e saj rrejshëm. Sa e mallëngjyeshme është kjo tokë me këto lakadredha e stome, me bar lisa dhe ferra, ky ndërtim natyre… Ato lakesa gjeografike si shtigjet e jetës. Po. Shqiptarët gjithnjë si qiraxhinj me një thes në krah. Me një barrë e me një brengë që i ka përcjell gjithmonë. Kudo që e hedh hapin sheh ndryshime. Ndryshime për të mirë nga njeriu pak ka, më tepër për të keq. Thua asgjë nuk ka mbetur, madje është zhvendosur vendosur nga vendi i vet. Në Malësinë e Gollakut të Kamenicës, është shkatërruar pasuria natyrore publike e shoqërore, gati tërësisht nga dora e vetë njeriut.
Izolimi i qytetarëve
Luginës prej Shipashnicës e deri në kufi me Serbinë, në lindje e verilindje të Kosovës, mbi dhjetëra e qindra fshatra kanë mbetur të boshatisura. Do të thotë, e tërë Provinca e Gollakut. Aty ku nuk ka njerëz, nuk ka as kafshë të egra, nuk ka as zogj mali! Natyrë e vdekur. Ikje nga vendi ka pasur gjithmonë dhe ato ishin në drejtime të ndryshme. Më shumë për Turqi. Në të gjitha anët e botës. Ikje nga terrori social e politik i sundimit të egër serb. Deri para dy-tri dekadave, me dhjetëra e qindra vite nga djali i djalit është punuar e është ndërtuar në këto troje. Nga anë të botës kanë sjellë paranë e djersës e të mundit të tyre, i kanë rregulluar vendbanimet, i kanë punuar tokat, kanë hapur rrugë e shtigje. Ka ndodh që për një metër vend, të atyre kodrave e kodrinave janë bërë edhe gjaqe në mes të njerëzve që, “nuk u ka dalë tokë e mjaftueshme”. Po, shpesh vërehej edhe jeta e harmonishme për dasma e bujari mysafirësh. Ekzistonte edhe solidariteti për njëri-tjetrin, përkundër të gjitha vështirësive dhe sjelljeve që shfaqeshin, të natyrës sociale e të ndonjë çështje jetike. Por, problemi në këto anë ishte edhe shkollimi, punësimi, shëndetësia, kultura dhe në përgjithësi lidhja me botën e civilizuar. Jeta e qytetarëve të këtyre shpatijeve ishte tërësisht e izoluar. Po me vullnet të pa thyeshëm, nga një vis analfabetësh dikur, Malësia e Kamenicës, nxori për pak vite aq kuadro të arsimuara të të gjitha profileve të ndryshme sa vështirë është të numërohen.
Rruga – arteria kryesore për jetë në këto anë
Në cilën do anë Malësia e Gollakut mbetet më e prapambetura. Kush e di sa herë është përmendur për ndërtimin e rrugëve nëpër fshatrat e malësisë, konkretisht deri në Desivojcë. Asfaltimi para dy-tri vitesh vijoi ndonjë km andej Shipashnice dhe u ndal…kush e di pse! As në atë kohë as në këtë kohë. Është dashur të bëhet një kryeministër në këtë kohë që ta drejtojë një rrugë të asfaltuar deri në Tugjec, në kufi, gjithashtu e lidhur me disa fshatra gati tërësisht pabanuara tashmë. Në Poliçkë u desh të pranohet statusi i një heroi për t’u ndërtuar një rrugë. Do të thotë, rruga është shkaktari kryesor që janë lënë shkret vendet më të mira. Nëpër këto terrene ka mundur të zhvillohet turizmi më i mirë se në Brezovicë. Në këto anë qytetarët kanë mundur të ngritin ferma blegtorale e shpendarie. Fabrikë për përpunimin e prodhimeve të qumështit. Një tjetër për përpunimin e drurit. Sepse, ka kullosa të pasura, po edhe ujë. Vende me lartësi bregdetare e me ajër të pastër për shërim. Edhe ajo tokë që diku-diku është e dobët për bujqësi, në disa vende është mjaft produktive, më në fund për perime të shëndosha. Po për ndërtimin e një rruge për këtë anë (Desivojcë, Sedllar, Kranidell, Vriçec, Laçiq, Velegllavë, Tërstenë,) etj. duhet të presim të lindin, të rritet e të zgjidhet ndonjë ministër i zhdërvjelltë nga këto vende, ndryshe vonë do të bëhet që kjo pjesë Malësisë së Kamenicës ta ketë vlerën e vet.
Këta banorë, tash, të këtyre anëve, nuk kanë shkuar larg
Krejt kjo bëri që ditë pas dite t’i braktisin këto terrene dhe të vendosen nëpër qendrat urbane. Atje ku shihej një jetë më e lehtë e më e organizuar në të gjitha nivelet shoqërore. Dhe lëvizjet ishin kaherë, andej e këndej. Më shumë nga fshati për në qytet. Sidomos pas viteve 1999/2000 e këtej, në mënyrë masive u shpërngulën këta qytetarë, kush me nevojë e kush duke parë fqinjin e të tjerët që kanë mundësinë, dhe që të gjithë si me komandë ia kthyen shpinën vatrave të paraardhësve. Atë që e kemi nuk ia kemi ditur vlerën sa duhet. Kush bleu ndonjë ari tokë për ndërtimin e shtëpisë, e kush tjetër e futën familjen me qira. Dikush prej tyre me ndonjë kapital nga bota e jashtme, por edhe të tillë pa kurrfarë shprese për t’u rehabilituar. Shumë prej tyre mbetën nëpër rrugët e qyteteve, duke pritur me një shat në krah për ndonjë punë argatie. Grupe të tjera nisën bizneset e rrenës, dallavereve, spiunimit e servilitetit e punë të tjera të pa hijshme.
Dikush “e hëngrën edhe tokën”!
Kur dikush ka folur jashtë institucioneve shtetërore e “pa kompetencë”, si qytetarë të lirë e të brengosur për ndonjë çështje, askush nuk deshi të dëgjoj. Të gjithë udhëheqës e anëtarë të parti ve ishin të preokupuar me disa detyra vetjake. Të pa rëndësishme. Të zënë me atë që nuk ishte interesi i ekonomisë, i ligjit dhe i drejtësisë për shoqërinë në përgjithësi. Tema e tyre nuk ishte tretmani për ringjallje dhe zhvillim në të gjitha segmentet e jetës. Këta zyrtarët nëpër vende shtetërore sikur vepruan sipas parullës shumë të dëmshme, “Pas meje guri mbi gur mos mbettë!” Pra, u morën me vetveten dhe klanin e tyre. U zgjodhën për të udhëhequr qytetarët dhe vendin. Po problemi për ta ishte, kush kë do ta sundojë dhe sa do të ketë pushtet për ta ndrydhur palën tjetër. Krejt kjo në mes veti shqiptarët. Të pa mësuar të vetëqeverisen bën çmos ndaj njëri-tjetrit (si spiunime te të huajt), por edhe filluan vjedhjen e plaçkën. Me këtë vjedhje dhe plaçkë blen edhe vota në popull. Dhe u bënë udhëheqës. Do me dije e padije. Aftësi e paaftësi. Veç vendet kyçe të zihen. E lanë zhvillimin ekonomik. Ne folëm e shkruam: bujqësia me degët e saja është prioritet që edhe qeveria e institucionet tjera duhet pasur parasysh. Por kjo nuk “piu ujë”. Nëpër ara e livadhe, në pikë të rrafshit, përgjatë magjistraleve u ndërtuan motele e punëtori tjera, por më së shumti mbinë stacione për naftë dhe derivate. Toka që duhej të përdorej për prodhimtarinë e drithërave, perimeve etj. u shndërrua për pak vite në beton, tjegulla, hekur e material tjetër ndërtimtarie. Pas kaq vitesh, këta “ekspertët” tanë po duan që ta përmendin bujqësinë: “duhet ta ndihmojmë bujqësinë. Duhet ta përkrahim… ” thonë. Shumë qesharake…Po pse u prit deri më tash?
*
Dalëngadalë një pjesë e atyre trojeve në fshatrat malore po rrënohen e po mbulohen në harresë. Aty sheh do shkurre e manaferra të zhvilluara mbi to. Arat e bukës të mbuluara prej gjithfarë shkurresh . Dhimbja është e dyfishtë. Njeri të rrallë e shumë të rastësishëm takon në këto terrene. Shtëpi të boshatisura ende duken në këmbë disa prej tyre. Si mortaja kur i ka shfaros dikur. Duket sikur është ndonjë vend i huaj, i shkretë e pa zot. Sikur askujt nuk i intereson asgjë për të. Ndodhitë në tokën tonë për të keq nuk kanë fund. Qeverisja lokale si në gjithë Kosovën edhe në atë të Kamenicës ishte pa fre. Në mënyrë të egër, pa ligje. Edhe pas shpalljes së Republikës, më 2008, nuk pati një arritje të duhur, sa i përket mbrojtjes së pasurisë publike. Mendoj, në mbrojtjen e pyllit, ujit, tokës që janë shumë me rëndësi për një shtet të pavarur. Shumë fjali e fjalë kur dikush i ka shqiptuar më janë dukur pak si hiperbola. Intimisht do kohë nuk jam pajtuar edhe pse kam dyshuar. Më janë dukur si etiketa “me inati”. Si është e mundur kjo, kur thuhet se, këta njerëz “e hëngrën edhe tokën”! Por, ata që dëshirojnë të verifikohen me këtë thënie, le të marrin rrugën njëditëshe për në Malësinë e Gollakut dhe ka për të parë çfarë xhungle krijon njeriu. Prej Shipashnicës, Lumit të Desivojcës përpjetë disa kilometra, një pjesë e madhe e arave dhe livadheve që ishin përreth janë lëruar, më mirë të thuhet janë shkretuar. Makineria moderne e kohës ka groposur dhe e ka mbrapshtuar tërë tokën, duke krijuar kratere të mëdha për të nxjerrë zhavorrin për ndërtimtari. Këto gërmime kanë ardhur deri pranë asaj rruge (gati për ta shembur ), që nuk është ndërtuar sot atë ditë, por që njerëzit e këtyre vendeve e kanë mbajtur, ashtu sa kanë mundur, për lidhje të këtyre anëve me qendrat urbane. Ato parcela ku është prodhuar drithë, perime, bari dhe pemë të mbjella kaherë, janë shndërruar në një relief të tmerrshëm t’ia lëshosh sytë. Aq në kundërshtim me realitetin dhe aq dhimbshëm duken pamjet, sikur të binte bombë atomike. Janë krijuar mini-liqene e bërraka, ajsbergë e maja kodrinore janë ngritur, sa nuk mund ta dish se ku gjendesh, si në një ëndërr makthi. Sipërfaqe me tuba të mëdha zhavorri janë ngritur, duke bërë përpunimin dhe duke bartur me kamionë asaj rruge të pa themel. Qeveritë as qendrore as lokale nuk patën program të duhur për mbrojtjen e pasurisë publike. Faji është nga vetë këto institucione. /2L ONLINE/