Jo me Lutën, thonë në Vetëvendosje!

Jo me Lutën, thonë në Vetëvendosje!

Se pushteti në Gjilan që përbëhet prej LDK-së dhe partnerëve të saj, mund ta pranojë si pjesë të saj edhe Vetëvendosjen, madje duke lënë jashtë edhe ndonjë partnerë aktual, kjo është bërë me dije edhe nga vet kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri – Luta.

Kjo duket është bërë edhe për faktin se në nivelin qendror, drejtuesit e këtyre dy subjekteve, Isa Mustafa (LDK) dhe Albin Kurti (Vetëvendosje), kohëve të fundit kanë pasur takime të shpeshta dhe kjo është komentuar si përpjekje e tyre për t’i parë pikat e përbashkëta që do të qonin drejt një koalicioni për zgjedhjet nacionale.

LEXO EDHE: Haziri: Bashkëqeverisjes në Gjilan mund t’i shtohen partnerë të rinj, e t’i largohet ndonjë partner aktual

Por, në Vetëvendosjen e Gjilanit, kur është në pyetje niveli komunal kanë mendime e qëndrime krejt ndryshe, madje drejtuesit e saj janë shprehur se është e pamundur një bashkëqeverisje me LDK-në Gjilan, pavarësisht se çfarë do të ndodh në nivel vendi, mes këtyre dy subjekteve. Për më tepër ata edhe sot kanë vazhduar që në adresë të pushtetit aktual që drejtohet nga Lutfi Haziri – Luta, të hedhin kritika e akuza për keqqeverisje, dallavere me tenderë e nepotizëm në punësime.

Nehat Osmani, nënkryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan ka bërë me dije se nuk i kanë bërë shumë përshtypje deklarata e kryetarit të Komunës, në lidhje me ndryshimet që mund të pësojë koalicioni qeverisës, e ku përmendet mundësia edhe e ofrimit të partnerëve të rinj, duke shtuar se Vetëvendosje nuk është e interesuar për t’u përfshirë në një qeverisje të tillë.

Osmani shtoi se deklaratat  që Vetëvendosje mund të jetë pjesë e qeverisjes Haziri janë kozmetike, për konsum ditor, ngase Vetëvendosje nuk ka preferuar, e as nuk preferon të jetë në një qeverisje të tillë, përderisa nuk marrim mbështetjen e plotë nga populli.

“Lëvizja Vetëvendosje edhe në fillim të qeverisjes edhe tani ka shprehur synimin për të krijuar një jetë më të mirë të qytetarëve dhe janë të bindur se më këtë qeverisje nuk mund të arrihen synimet e qytetarëve”,thotë Osmani, për të shtuar se janë të përkushtuar për një qeverisje që përmirëson jetën e qytetarëve dhe kjo bëhet kur Vetëvendosje merr përgjegjësi të plotë për me qeverisë.

KOMENTE