/2L ONLINE/ – Në një konferencë për media që ka mbajtur sot kryesuesi i komisionit komunal të aksionarëve, Xhelal Jetishi dhe U.D. i drejtorit ekzekutiv të kompanisë “Eko-higjiena”, Senad Rama, kanë prezantuar gjendjen në të cilën është kjo kompani në bazë të punës që është duke bërë dhe planifikimin për të ardhmen.
Për Jetishin problemet që ishin në KRM “Higjiena”, kanë reflektuar edhe pas partneritetit publiko privat, por se tani në “Eko-Higjiena” ka ndodhur një përmirësim dhe të gjitha trendët janë ka shkojnë kah pozitivja andaj mund të pritet rrugë e fuqizimit dhe e zhvillimit.
Ai përmendi problemet që e kishin rënduar këtë kompani si mungesa e auditimit të jashtëm siç është ajo e kontabilitetit jo stabil, shkallës së ulët të inkasimit, obligimeve përherë në rritje, detyrimeve shqetësuese ndaj ATK-së, detyrimeve dhe borxheve ndaj Deponisë së Mbeturinave, por edhe aspekteve të tjera negative në këtë kompani, por se tashmë në “Eko-higjiena” ka ndodhur një përmirësim dhe të gjitha trendët janë duke shkuar kah pozitivja.
Se sa ndikuese kanë qenë problemet e brendshme, tregon edhe fakti i mos përmbushjes së investimeve të parapara përgjatë viteve. Jetishi ka rikujtuar se nga investitori privat është dashtë të investohet, 500 mijë euro, më 2012, po aq edhe më 2013 e 2014, por se sipas tij krejt investimeve e deritanishme mund të sillen rreth 600 mijë eurove.
Jetishi, ka thënë se Eko-Higjiena është e para dhe e vetmja në nivel të vendit për fushën e mbeturinave, që është bashkim i kapitalit dhe investimeve përmes Partneritetit Publiko Privat mes sektorit publik në këtë rast Komunës dhe atij privat “Moser Group” nga Austria.
“Eko-higjiena” është kompania e vetme në nivel vendi në fushën e mbeturinave që funksionon përmes Partneritetit Publiko Privat, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në aspektin e pastërtisë, duke bërë grumbullimin e mbeturinave dhe mirëmbajtje të hapësirave publike, si rrugët, parqet, trotuaret, varrezat dhe hapësira të tjera publike”, tha Jetishi.
Kurse, Senad Ramaj, U.D. në “Eko-higjiena” ka thënë se për këtë gjashtëmujor të vitit 2015 trendi i inkasimit është në rritje dhe është përditë e më i mirë falë angazhimit dhe menaxhmentit, por edhe falë vetëdijesimit të qytetarëve që të paguajnë për shërbimet e kryera.
“Prej 1.7 milion eurove që janë borxhet ndaj kompanisë “Eko-higjiena”, vetëm në gjashtëmujorin e parë është arritur që të hyrat për këtë periudhë të jenë mbi 295 mijë euro, që shpenzimet përafërsisht janë të njëjta me të hyrat. Vetëm shpenzimet për paga janë 65 %, pastaj, shpenzimet për deponinë e mbeturinave përfshinë 11 %, shpenzimet e karburantit janë 10.5 % dhe shpenzime të tjera janë 13 %”, ka thënë Rama, duke bërë të ditur se numri i përgjithshëm i konsumatorëve është 20 487, duke përfshirë Gjilanin, Kamenicën dhe Vitinë.
Rama ka thënë se nëse bëhen krahasimet e inkasimit nga 45 – 50 % që ishte në vitin 2012 në periudhën e njejtë të këtij viti, inkasimi shënon një rritje prej 75 – 80 %, që janë trende pozitive. Ai ka bërë të ditur se vitin e kaluar është bërë edhe ngritja e pagave nga 4% deri në 8%.
Në konferencë u tha se prioritet i kompanisë është projekti për separim të mbeturinave në bashkëpunim me Komunën e Gjilanin dhe GIZ-in gjerman, që do të nis me lagjen “Dheu i Bardhë” dhe me lagjen “Dardania” që pritet të nis në fillim të vitit 2016, pastaj prioritet tjetër është rritja e cilësisë së shërbimeve, pastaj gjetja e mekanizmave për kryerje të obligimeve që kanë konsumatorët ndaj kompanisë dhe prioritete të tjera që kanë të bëjnë me aspektin e zhvillimit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. /2L ONLINE/