Librin, të cilit iu kemi referuar, e përbëjnë tregimet e botuara kryesisht gjatë viteve: 1968-1969 dhe 1970, në shtypin e periodikun e lartshënuar. Tregimtari i ka renditur tregimet e tija, sipas shtypit e periodikut ku qenë publikuar, në tre kapituj.
Proza e viteve të 60-ta e të 70-ta në Kosovë
Demir Behluli “Trenat e bukës”, VATRA , Prishtinë, 1997
Nga: Mehmetali Rexhepi
Me gjithë atë: mbeti një libër
Vëllimi libror me tregime “Trenat e bukës” i shkrimtarit e piktorit Demir Behluli, i cili më 9 dhjetor 1997, shënoi dyzetvjetorin e veprimtarisë së gjithëmbarshme artistike të tij, është vjelë nga tregime të botuara gjatë viteve 1968, 1969 e 1970.
Gjuha e shkrimeve të këtij autori ka përjetuar periudhën e varianteve letrare të shkrimit të shqipes, kur specialistë e kompetentë të gjuhësisë shqiptare po mëtonin dendur vendosje të rregullave, njësim variantesh dialektore, normëzim e kodifikim të drejtshkrimit të gjuhës letrare kombëtare. Me një fjalë: ngritjen e shqipes në një gjuhë standarde mbarë shqiptare.
Në parathënie të librit autori pohoi: se do të ishte më mirë që “të përshtaten tregimet në gjuhën e sotme letrare.” Mirëpo, përshtatja e gjuhës së gjallë dhe autoktone e personazheve me gjuhën e normëzuar, do të shfaqej e panatyrshme dhe pa ngjyrimet e mjedisit, të përmasës së psikes etnike, përkatësisht e pamotivuar si vërtetësi jetësore. Lexuesi i vëmendshëm do t`i vërej disa ngjyrime shprehjesh të konservuara, të pashkrira të variantit dialektor të së folurës lokale të gegërishtes nëpërmjet gjuhës së personazheve të këtij tregimtari.
Sipas pohimit në parathënie, autori na dëftoi se po të përfshiheshin tregimet e botuara që nga viti 1960 në “Flaka e Vëllazërimit” e “Jehona”, që botoheshin në Shkup, pastaj në revistën letrare “Jeta e re” dhe në “Kosovarja” të Prishtinës, periudha e shkrimeve tregimtare të Demir Behlulit do të dëshmohej më e gjerë dhe më e gjatë.
Në vëllimin “Trenat e bukës” janë përfshirë njëzetenjë tregime, të botuara në “Flaka e Vëllazërimit” viteve: 1968 e 1969; në “Rilindja” më 1968; në “Jehona” e Shkupit, më 1968-1969; dhe një tregim, “Dritaret e zbrazëta”, në revistën letrare “Jeta e re”, viti 1970, numër 4.
Librin, të cilit iu kemi referuar, e përbëjnë tregimet e botuara kryesisht gjatë viteve: 1968-1969 dhe 1970, në shtypin e periodikun e lartshënuar. Tregimtari i ka renditur tregimet e tija, sipas shtypit e periodikut ku qenë publikuar, në tre kapituj.
Ciklet tregimtare nuk dallojnë as për nga struktura, as për rrjedhën e rrëfimit, përpos, ndoshta, tregimit “Balonat” në hyrje të librit. Ky tregim për disa nuanca të formës e të stilit dallon prej tregimeve pasuese.
Në këtë libër të prozës, sipas autorit, nuk është përmbledhur pjesa më e hershme dhe më sasiore e krijimtarisë tregimtare të Demir Behlulit. Ajo pjesë shkrimesh, besoj të kenë qenë një shkollë e përvojës sasiore, për shkollën e mëvonshme të formësimit e të ngritjes më cilësore të tregimeve.
Mbi njëzetenjë njësi tregimtare, madje proza më të gjata se sa këto, mbesin pa u përfshirë në këtë ose në ndonjë vëllim tjetër të veçantë?
Fati i shkrim-qëmtuesit do të shpjerë në përkufizimin e rrethanës së hidhur, ngaqë: gjeografia dhe historia art-jetike e autorit është gjymtuar!
Rrjedhojës së këtillë cytet kureshtja që bëhet shtytëse pyetjesh… Pse ndodhi kështu? Mos për çështje kriteri, censure, vetë-censure a kostoje sociale? Kjo le të mbetet jashtë këtij shqyrtimi.
Kundrime sociale të fshatarësisë së Maleve të Zeza
Tema dhe motive mbizotëruese të tregimeve të Demir Behlulit janë ana-meset sociale të malësorëve të Karadakut. Në kundrimet dhe përjetimet e kësaj tematike, të motiveve që ngërthen: hyjnë e familjarizohen bjeshkët, toka e shkrepave, pamjet e tyre, arat mbi rrasa guri, njerëzit e lidhur me këtë reliev, si dhe flora e fauna, mikrotoponimia, si: Roga e Dredhëzave, Zabeli i Gurit, Rrezja, Livadhet e Shpatit, Lugu i Hithave, Rogat e Vogla; toponime, si: Vecka e Ilincës, Pçinjë, Myçybabë; hidronime, si: Radika; patronime e llagape, si: Cenët e tjerë; si dhe makro-toponime, sikurse Shkupi, Korabi, Karadaku e Banati.
Nëpër këtë reliev e hapësirë të kësaj gjeografie, lëvizin personazhet e copëzave të prozës së tubuar në vëllimin “ Trenat e bukës.”
Relievi i tillë i ashpër ka kushtëzuar një jetesë të zorshëm e të mynxyrshme. Në këtë reliev malor frymojnë e gjallojnë malësorë të thjeshtë, të butë e të ashpër njëkohësisht. Mjedisit ku formësohen e pikturohen karaktere, të cilëve tregimtari, duke qenë dhe vetë pjesëtar i një ambienti të tillë, ua ndien rrahjet e zemrës e preokupimet ekzistenciale, i jep kahe e trajta aspekteve qenësore të mësymjes tyre. Sipas autorit, ato mjedise janë tipike, karakteristike, të veçanta dhe interesante për përditshmërinë dhe veçantinë… Andaj, meritojnë trajtimin dhe shtjellimin nëpërmjet penës së shkrimit, për t`i derdhur ndjenjat e dhimbjes, të dashurisë, të shpresës për një të nesërme, për një fat ndryshe për ta.
Çfarë të nesërmeje iu dëshironte autori malësorëve të vet? Dihet. Tema e shkrimit tij artistik është e angazhuar: për bukën e munguar të gojës dhe iluminizmin.
Sipas mjedisit e rrethanave prozatori zgjodhi motivet e skamjes dhe paragjykimet, për t`i bërë lëndë të preferuar. Pse? Përgjigja ngërthehet në çështjet jetike të ekzistencës njerëzore të malësorit shqiptar në Malet e Zeza. Kjo temë dhe mënyra e shtjellimit i përgjigjet nivelit dhe teknologjisë shkrimore të tij. Ai u përcaktua, i rrethuar prej tyre, për të trajtuar pikërisht fate të rënda të ekzistencës njerëzore; të një ekzistence të zhveshur nga të mirat e jetës.
Kush ishte fajtor për një katandisje të tillë të malësorëve të Maleve të Zeza? Nuk ishte vetëm faktori natyrë. Gjithsesi, këtu kishte dorë, edhe pse nuk pohohet drejt për së drejti as nga rrëfimtari, as nga personazhet e tregimeve, diskriminimi politik kombëtar mbi shqiptarët e injoruar nga Federata Sllave.
Çfarë tipa personazhesh pasqyron vëllimi “ Trenat e Bukës”?
Personazhet e këtyre tregimeve janë njerëz që jetës i japin shumë e marrin fare pakëz dhe, fare-fare pak i lypin asaj… Çka? Vetëm atë më të domosdoshmen e asaj që quhet jetë… Përderisa edhe ato pak të mira që ua ofron jeta, atyre u mjaftojnë për ta përballuar tiraninë e vrazhdësinë e të jetuarit, për ta ruajtur vullnetin e vazhdimësinë e qenies tyre personale dhe familjare. Në këtë mendësi personalja flijohet për familjaren.
Duke synuar të domosdoshmen dhe qenësoren e ekzistencës, shkrim-besimtari nuk mundi t`i shmangej tematikës së brengave e të mos e ngjyente penë-shkrimin në çështje dilemash: të mundësisë a pamundësisë për vazhdimin e lozes së trashëgimisë? Këto motive të ngjyrosura në këtë mentalitet dalin parësore, ngase mbi këto premisa ngrehët kodi tradicional i familjes malësore, qenia a shuarja e saj.
Gjakimet dhe dëshirat e papërmbushura për diçka që përbën vijimësi, siç është lindja e djalit pas pesë vajzash, frenohet nga mendësia, e pa rëndomtë për nivelin e procedimit të së faktuarës së këtillë tregimtare, shtruar në mëdyshjen e dyshes: mundësi-pamundësi: “ … dëshirat gjithmonë e kurdoherë janë më të mëdha se sa mundësitë.”
Kërkesat njerëzore assesi të ekuilibrohen e të vihen në baraspeshë, ndaj revolta e shpeshtë arrin të përgjithësohet përmes diskursit të shfryrjes së personazhit: “ Dreqi e marrtë edhe këtë jetë, e cila njeriut i zvarritet prapa gjithmonë e hidhur. Nëse njeriu ka një gjë, i mërzitet dhe ia rrënon jetën, nëse nuk e ka, çmendet pas saj derisa ta bëjë…”
Dialogu përmbyllës i tregimit “Dëshirat” i kalon caqet e brengës vetjake, bëhet diskurs i ligjërimit të dialektikës, prej së cilës dilet në stomin e konstatimeve me vlera të përvojës përkufizuese për jetën:
“ –Sepse, jeta nuk lë të përsëriten gjërat, ato gjithmonë vijnë të reja, gjithmonë ndryshe… Në jetë nuk ka përsëritje, edhe pse shpesh herë na duket se përsëriten gjërat e mu nga ajo na bëhet jeta banale, por jo! Ditët vijnë të reja dhe kurrë të përsëritura, kurrë!”
Reflektime të ngjashme të këtij diskursi nuk hasen dendur në tregimet tjera, ngase u bie ndesh lënda e fatit të rëndë, ndeshtrashat, mynxyrat, motivet e bukës misërishte… Mungesën e prirjeve për të filozofuar e ka zëvendësuar bjerrja e nevojave thelbësore për përmbushje biologjike, fiziologjike dhe shpirtërore. Autori preokupohet edhe me personazhin e një dashurie të pashpallur, një dashuri djegëse, as kurrë e realizuar e Tahirit për Hajrinë, personazhe të tregimit “Dashuri e ndryrë.”
Monologu si trajtë e shfaqjes së vetmisë, jepet në përkatësi me mentalitetin e një bariu, siç ishte Tahiri, i padjallëzuar, prore i pashpërthyer, i pa imponuar, i ndrojtur, nënçmues i vetvetes, i vetë-burgosur i turpit. Ndërsa Hajrija, e adhuruara e Tahirit, pahetueshëm, mirëpo vepruese, lyp shteg-përmbushje dhe e gjen daljen, por këtij i shmanget, kur nuk pritej… Rrjedhës së traditës ia thyen edhe gardhin e kanunit të pashkruar patriarkal, dhe çupërisht, si një cub mali, ndërron rrjedhën e paragjykuar të fatit…Hajrija përmbush ndjenjat për të përzgjedhurin e saj:
“Hajrinë e kishte rrëmbyer dashuria e saj, dashuria e horizonteve të reja e të thyeshme…”
Pos pamjeve për të depërtuar në anames social të mjedisit malor, të rënduar dhe nga pesha e hijes nëm-keqe të gjakmarrjes, vihet në spikamë vetëdijesimi i përfaqësimit të brezit të ri me risi; qofshin edhe individuale, flakja e psikologjisë së shëmtuar, prerja e vijës ndikuese të shëmtive në aspekte etike, të trashëguara në doket prapanike të mendësisë sonë rurale.
Qasjet retorike marrin në duar frenjë dhe frenojnë diskursin e imagjinatës, aty ku nuk frymon figuracioni i saj. Mungesa e tekstit figurativ i lë shteg tekstit retorik e, ndonjëherë dhe atij publicistik. Pleksje të tilla ka në këtë vëllim tregimesh, por ky shkrim nuk mëton shqyrtime të thelluara në këtë pikëpamje.
Ngritja mbi paragjykimet dhe ndrydhjet morale, të epsheve që mbahen të ndezura panatyrshëm deri në tendosje të skajshme, tejkalimi i dogmës së mjedisit, dhe, përfundimisht edhe i krenarisë së rreme, shprehet përmes figurës së Bejtës, një shëmbëllim personal i faljes, i vetëmohimit për të sjell e nxitur vetëpohime të shumëzuara, haset dhe grish idenë e pajtimit në tregimin “Atë mëngjes.”
Zgripeve ekzistenciale
Edhe në çfarë temash e motivesh do të ngjyhej pena e këtij fat-shkruesi në kapërcej të viteve gjashtëdhjetë, përkatësisht të shtatëdhjetave të shekullit njëzet?
Gjatë viteve të kësaj periudhe proza në letërsinë shqipe, po përjetonte ngjitje vertikale dhe shtrirje horizontale në hapësirën e ndarë letrare kombëtare. Harta e saj etnike, etike dhe estetike ishte prerë me kufij gjemborë politik e ideologjik. Komunikimi shpirtëror mes Shqipërisë administrative e shqiptarëve në Jugosllavi ishte tërësisht i censuruar. Prirjet letrare në shtetin shqiptar i nënshtroheshin metodës zyrtare të realizmit socialist. Censura jugosllave mëtonte shpërfytyrimin etnik të veçorive kombëtare të letërsisë së shkrimtarëve shqiptarë, në Kosovë e gjetiu… Depërtimet e avangardës të artit evropian, i hasim kryesisht përmes përkthimeve nga serbishtja e kroatishtja në shqip. Për t`iu fshehur censurës poezia, proza dhe drama shqipe parapëlqyen veshjen e gjuhës së kodeve hermetike. Këtë metodologji krijuese e ndoqën shkrimtarët me prirje elitare: Anton Pashku, Beqir Musliu, Teki Dervishi, Musa Ramadani, Rexhep Qosja, Zejnullah Rrahmani e ndonjë tjetër. Adem Demaçi ishte prijatar i disidencës letrare të burgosur.
Përpos depërtimit të Ismail Kadaresë në llojin e romanit, tashmë kemi prurjet moderne tregimtare të Anton Pashkut, prozën lirike ose romanin lirik të Teki Dervishit…Rrymat stilistike letrare evropiane, përmes ndonjë përkthimi të përkthimit, po ushtronin kahe ndikuese edhe në letërsinë shqipe, jashtë shtetit shqiptar…
Demir Behluli do të jetë në periferinë e këtyre rrjedhave të teknikave, stileve, proceseve e tipave të shkrimit, që kultivonin risitë shkrim-qëmtuese të prozës. Në prozën e tij nuk haset gjakimi për hulumtime eksperimentale. Ai nuk ka personazh që do të bartte ndërlikime poetike, duke i ngërthyer e zbërthyer përmes temës figurë, figurës temë- ide, idesë simbol dhe anasjellas. As letërsia shqipe nuk e kishte përvojën për t`i kapur kthesat e tilla novatore evropiane.
Në boshtin e jetës tradicionale familjare enden tjerrjet: dasma e parakohshme, ritet e konservuara në mjedisin ku kishte gjallëruar autori, fryma kolektive e organizimit të ceremonive, të akteve martesore pleksur me rite e besëtytni të lashta:
“… sikur kokrrat që rriten në një tramak, ashtu edhe familja e dhëndrit u shtoftë e jetoftë nën një kulm…” ( Nata e kallamboçave)
Në një urim, sikurse ky, është i pakapërcyeshëm krahasimi, për shtruarjen dhe rriten e familjes së ardhshme të dhëndrit, për krahët e punës, sikurse kokrrat e kallamboqit në tramak. Misri këtu është apoteozë migjeniane e gëzimit ose mjerimit.
Pra, këto copëza proze i preokupojnë mjerimi dhe vetmia e qenieve njerëzore përballë stihisë e tekave të natyrës, mungesa e dorës të kujdesit shoqëror-shtetëror, si dhe dëshpërimi për indiferencën e pandjeshmërinë e Zotit (tregimi Breshëri)
Pena e këtij krijuesi pasqyroi jetën e jetuar ankthshëm. Barrë brengash të rënda urie, të cilat i bartin shpirtra dhe kurrize të lakuar për kafshatën e thatë të bukës së misrit, për caqe të mbijetesës sot për nesër; ndeshtrasha, sprovime, shpresa fëmijërore të burrit që kënaqet me pak miell misri (Trenat e bukës).
Këto dëshmi art-jetike të jetës në zgripe, vetëm sa për ta mbajtur gjallë krijesën biologjike zbërthejnë, reflektojnë, akuzojnë, shpalojnë fate të dhimbshme e tragjike të njeriut tonë, në periudhën e të gjashtëdhjetave të burokracisë shoviniste-rankoviqiste.
Një katandisje e tillë e fatit të njeriut zgjon rebelimin ta ngresh gishtin tregues, në “njeriun me vetëdije të fjetur”, siç brengosej shkrimtari i vlerave etike, Hivzi Sulejmani.
Vazhdimësia e jetës vjen duke u tkurrur, sepse energjia dhe shëndeti rinor shpenzohen për të siguruar as më shumë, as më pak se sa bukë misri, “por vjeshta vinte qetas sikur vdekja e plakut” ( tregimi Yjtë).
Me gjithë atë, personazhet e këtyre motiveve, të kësaj rrojtjeje, ndonëse ecin tehut të honit të ekzistencës, në tregimet: “Druvarët”, “Kuqoi”, “Agonia”, “Buka e blertë”, “Derrat e egër”, edhe pse të shtrënguar nga darët e skamjes, nuk bien në pozita tjetërsimi. Pikërisht këtu spikatet poenta e besimit të këtyre personazheve, njëkohësisht vlera e forcës ideore për ta fituar mbijetesën.
Në këtë kontekst, këto personazhe nuk e mallkojnë jetën si të këtillë, edhe pse pësojnë vuajtje dhe jeta u nxjerr dredha, nuk e humbin besimin për të, ngase e duan edhe kur ajo ua ofron gotën e pelinit. Mu kjo është ajo, shtytja e brendshme, e pashpjegueshme, ndoshta mitike, e qëndresës tyre, e vullnetit mbinjerëzor vertikal, por jo e Mbinjeriut të Niçes.
Drama trishtuese e zhbërjes
Gama e interesimeve për t`i futur në orbitën e shtjellimit artistik ngërthen: gjurmët helmuese në shpirt, në sedrën e traumatizuar që kishte lënë gjakmarrja, dy mendjet e heqjes a të mbetjes dramatike të tabusë (tregimi Lulja ); sinqeriteti e fisnikëria në botën rinore të intimes; epshe të frenuara me çiltërsi e dashuri të njëmendët, që i bien ndesh pornografisë së sotme, shpalohen në tregimin “Trandafili i pa çelur.”
Demir Behluli i dha trajtë tregimtare aspekteve të thyerjes shpirtërore e dëshpërimit, deri në skajin e humbjes së logjikës, aktit të tentimit të vetëvrasjes në prozën “ Në buzë të vdekjes.” Kjo është proza e vetme në librin “Trenat e bukës”, e llojit të një drame me dallgë të tendosura shpirtërore, dramë e dëshpërimit dhe e pendesës së individit.
Përplasja e ndjenjave të dashurisë në mes mureve të ndalesës kanunore e të gjakmarrjes, largësisë e zbrazësisë së kurbetit, janë trinoma e trajtave me peshë e një etike të shqetësuar malësorësh.
E vjetra dhe e reja, dhe në këtë mes, hapësira e ngushtuar e traditës së konservuar, ecejaket ndërmjet dy koncepteve shoqërore, dëftojnë dy mënyra të botë-vështrimit, në tregimin “Çiftelia e pluhërosur”; ndërsa tema e emancipimit bashkëkohor, në “Etje për një diell”.
Gjëma zhbiruese e shpërnguljes së dhunshme, do të jetë prodhimtare trajtash të dhimbjes e zvetënimit, një realitet yni aq shpesh i përsëritur… Në përkim me këtë realitet jetësor, në planin superstrukturor, e pandashme imponohet kategoria estetike e tragjikes.
Kush do t`i dilte përballë ortekut shekullor të dëbimit tonë?! Evropa nuk i shikonte shqiptarët; ajo e çmonte faktorin sllav. E pashmangshmja mund të bëhej e shmangshme. I tillë do të jetë nënteksti i porosisë i Shaipit, personazhit stoik të tregimit “Dritaret e zbrazëta.”
Në prozën “Dritaret e zbrazëta” shtjellohet dukuria e çrrënjosjes së shqiptarëve, ankthi i shpopullimit, i shpartallimit përmes shpërnguljes në Turqi, plagë e vragë, të cilat shkrim-qëmtuesin e kanë goditur rëndë në shpirt, si gur në zemër. Andaj, shkrim-kërkuesi gjeti bartësin tipik, heroin e paepur, që nëpërmjet tij ta realizonte e përjetësonte gjëmën e ikjes, trishtimin e shpërnguljes të etnisë shqiptare nga trojet e tyre autoktone.
Figura e Shaipit motivon kthimin në vatra, veçanërisht pas acareve të diktaturës zhbiruese të A. Rankoviqit, kur pos mjeteve të vrazhda të dhunës shtetërore mbi shqiptarët, Jugosllavia kishte edhe bekimin e Marrëveshjes Xhentëlmenë mes Turqisë, për të shpërngulur shqiptarë autoktonë në shkretëtirat e Anadollit e gjetiu.
Në këtë prozë personazhi i Shaipit kultivoi artin e guximit.
Diskurs përmbyllës
Vëllimi “ Trenat e bukës” ka disa tregime që nuk tejkalojnë caqet e një skice, sepse lëndës së shtruar i mungon forca e motivimit, e depërtimit në dukuri, për t`i transformuar fragmentet e jetës me mjete figurative në fakte artistike. Në disa skica tregimesh ideja mbetet anemike, gjuha nuk e shpreh dot forcën e imagjinatës, ngase nuk arrin të shkëputet nga përditshmëria e realitetit jetësor.
Kjo prozë nuk sjell zbërthime të ndërlikimeve e komplekse ndërligjësish të jetës.
Çfarë i kërkohet shkrimtarit nga kritika? “In medias res” Të mos mbetet në periferi të thelbit… Pa u futur në dukuri shkrim-kërkimtari nuk mund t`i ndjejë, t`i shoh, t`i kap, t`i zbërthejë dhe t`iu jep shpirt dukurive të jetës dhe të botës shpirtërore.
Me gjithë atë, Demir Behlulit do t`i përkonte thënia e Alfred de Musset: “Gota ime është e vogël, por unë pi prej gotës time.”
Gjilan, më 9 dhjetor 1997;
Rishkruar, më 26 shkurt 2017