Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), edhe Lëvizja Vetëvendosje! u është kundërpërgjigjur akuzave të sekretarit të përgjithshëm të AAK-së, Burim Ramadanit, se këto dy subjekte marrin detyra nga Partia Demokratike e Kosovës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, në një bisedë për “Epokën e re” ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje! nuk është AAK. “Sekretari i përgjithshëm i AAK-së duhet ta dijë se ne jemi Vetëvendosje!, jo AAK. Nuk do të duhej të ndihej e konkurruar AAK-ja në këtë gjë”, ka deklaruar Selimi.
Në këtë kontekst, Selimi ia ka rikujtuar Ramadanit të gjitha veprimet që ka bërë AAK-ja gjatë këtyre viteve “Nuk i mbështesim PDK-në e as Qeverinë në negociata me Serbinë. Nuk kemi nënkryetarë të paguar nga Qeveria si koordinatorë në negociata me Serbinë. Nuk ia votojmë Qeverisë ligjet diskriminuese në Kuvend sikur ai i Hoqës dhe i Qendrës Historike të Prizrenit. Nuk i kemi votuar ratifikimet e marrëveshjeve të dëmshme me Serbinë. Nuk kemi asnjë koalicion me PDK-në në asnjë komune. Nuk e mbështesim PDK-në as sot kur kërkon vende të rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Selimi.
Ai ka thënë se Vetëvendosje! është gati të bëhet bashkë me opozitën, por jo siç ka thënë ai nëpër restorante. “Nuk mund të bëhemi bashkë nëpër restorante, por në Kuvend, aq më tepër nuk jemi të gatshëm të bëhemi bashkë ‘nen sqetull’ të kryeministrit, siç jo rrallë takohen liderët opozitarë e qeveritarë”, ka thënë Selimi.