DYLON

Javën e ardhshme procedohet me zgjedhjen e Presidentit

Avatar photo Redaksia

Koalicioni qeveritar në Kosovë ka vendosur që të procedojë javën e ardhshme në Kuvend me zgjedhjen e presidentit të ri, ku kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi synon të marrë mbështetjen e nevojshme për kreun e shtetit për një mandat 5-vjeçar.

Edhe pse, sipas Kushtetutës, data e fundit për zgjedhjen e Presidentit është 7 marsi, kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se, këtë proces do ta përmbyllin javën e ardhshme, brenda muajit shkurt, ndërsa ka garantuar transparencë ndaj tij.

EkoHigjiena

Sipas nenit 86 të Kushtetutës, që sqaron mënyrën e zgjedhjes së Presidentit dhe kuorumin e nevojshëm, gjatë seancës për zgjedhjen e kreut të shtetit duhet të jenë së paku dy të tretat e deputetëve të Kuvendit, apo 80, nga 120 deputetë sa janë gjithsej.

Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën e votave, prej dy të tretave të deputetëve, në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë mes dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë, dhe kandidati që merr shumicën e thjeshtë të votave të të gjithë deputetëve, apo 61 prej tyre, zgjidhet President i Kosovës.

Ndërkohë, nëse edhe në votimin e tretë asnjë kandidat nuk arrin t’i marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur President, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Sfida kryesore për zgjedhjen e Presidentit të ri në Kosovë është kuorumi i nevojshëm prej 80 deputetësh, pasi koalicioni qeveritar, edhe pse i ka 85 deputetë, disa prej tyre, kryesisht nga partia e kryeministrit Isa Mustafa, nuk e mbështesin kreun e PDK-së për President dhe mund të dalin nga seanca bashkë me deputetët e opozitës për të prishur kuorumin, e rrjedhimisht duke çuar vendin në zgjedhje të parakohshme./ Top Channel/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.