DYLON

Java e minatorit të Trepçës dhe e Trepçës së minatorit

Avatar photo Redaksia

Sot fillon Java e Minatorit në Kosovë. Kjo është data kur në vitin 1989 minatorët Trepçës kishin filluar grevën në minierat e Trepçës, për t’i kundërshtuar amandamentimet kushtetuese që atëbotë përgatiteshin për t’ia suprimuar autonominë Kosovës dhe për ta nisur kështu procesin e pushtimit klasik të Kosovës nga Serbia dhe apart’heidit, thuhet në një komunikatë të lëvizjes Vetëvendosje

Më tej thuhet:

EkoHigjiena

“Kjo pastaj rezultoi në përjashtimin fillimisht të të gjithë punëtorëve shqiptarë nga puna, përjashtimin e shqiptarëve nga sfera publike, përndjekjen e vazhdueshme dhe të egër të shqiptarëve nga forcat policore të Serbisë, shpërnguljen e shqiptarëve dhunshëm nga Kosova, shkatërrimin e potencialit industrial të vendit, uzurpimin e Trepçës dhe eksploatimin e egër të saj financiar e minerar për t’i financuar luftërat e Serbisë, plaçkitjen e pasurisë publike, shoqërore e private të shqiptarëve të Kosovës, për të kulmuar me masakrat gjenocidale e dëbimin e dhunshëm të afër 1 milionë shqiptarëve nga Kosova gjatë luftës.

Në javën e parafundit të janarit të vitit 2015, minatorët prapë hyrën në grevë, prapë në minierat e Trepçës. Tash kërkonin shndërrimin e menjëhershëm të Trepçës në ndërmarrje publike. Kështu Trepça do ta merrte statusin e saj të merituar ligjor e ekonomik për t’u shndërruar në shtyllë qendrore të zhvillimit ekonomik e industrial të vendit, dhe për t’u vendosur në funksion të së mirës së përgjithshme dhe mirëqenies së qytetarëve. Sikur atëherë, edhe tash minatorët po e dinë se çka është mirë. Por sikur atëherë edhe tash pushteti nuk po i dëgjon.

Trepça e ndarë në dysh është e tillë për shkak të konjukturave politike të cilat qeverisin në Kosovë. Për të njëjtën arsye që Mitrovica është e ndarë dhe e mban edhe Kosovën të ndarë në dysh. Kosova mbahet e ndarë për ta mbajtur të ndarë Trepçën. E Trepça mbahet e ndarë për shkak se Kosova është e ndarë. Ndarja nuk është e mirë për Trepçën. Rrjedhimisht nuk është e mirë as për Mitrovicën, Kosovën, e as për Republikën.

Më 1989 minatorët kundërshtonin suprimimin e autonomisë. Sot ata me kërkesën e tyre për Trepçën ndërmarrje publike po kërkojnë afirmimin dhe sovranizimin e Republikës. Më 1989 greva e minatorëve organizoi demonstratat e mëdha popullore dhe organizimin shoqëror të shqiptarëve të Kosovës.

Sot e kujtojmë atë moment lavdie politike e shoqërore të minatorëve. Por minatorët e organizuar nuk mund t’i kuptojmë pa e kuptuar dhe mbështetur kërkesën e tyre. Kërkesa e tyre sot është Trepça ndërmarrje publike. Kjo është kërkesa që ne e mbështesim dhe për të cilën angazhohemi.”

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.