DYLON

Java e Lëvizjes përmbyllet në ditëlindjen e veprimtarit Ukshin Hotit

Java e Lëvizjes përmbyllet në ditëlindjen e veprimtarit Ukshin Hotit
Avatar photo Redaksia

Java e Lëvizjes Vetëvendosje u përmbyll sot më 17 qershor, në ditëlindjen e veprimtarit të madh të çështjes kombëtare, profesor Ukshin Hotit. Për shënimin e kësaj date, një delegacion i Lëvizjes i prirë nga Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Glauk Konjufca, deputetët Arbër Rexhaj, Drita Millaku dhe Salih Zyba si dhe kryesuesen e Këshillit të Qendrës së Lëvizjes në Prizren, Arbëresha Berisha vizituan Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Me rastin e vizitës në Universitet, delegacioni zhvilloi një takim me studentët, profesorët si dhe me rektorin Prof. Dr. Ismet Temaj. Kryetari Kurti vendosi lule të freskëta te shtatorja e profesorit Ukshin, të gjithë bashkë bënë nderime, ndërsa Glauk Konjfuca mbajti një fjalë rasti duke lexuar edhe një paragraf nga vepra e famshme e profesorit, “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”:

“Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dijnë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që herët e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve. Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie.

EkoHigjiena

Çdo analizë, nga çfarëdo aspekti, në instancën e fundit, nuk mund të mos e reduktojë çështjen shqiptare në nevojën për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar. Dhe çdo analizë, nga çfarëdo aspekti, në instancën e fundit, nuk mund të mos e reduktojë problemin shqiptar në nevojën për barazimin e shqiptarëve me popujt tjerë në çdo aspekt, por mbi të gjitha në aspektin e zhvillimit.”

Ky mendoj se është paragrafi më i rëndësishëm i veprës së tij – tha Konjfuca, duke shtuar se nderin më të madh që mund t’ia bëjmë profesorit Ukshin Hoti, është duke vazhduar rrugën e tij, dhe duke mos u ndalur derisa kjo që u lexua të realizohet.

Lavdi jetës dhe veprës së Ukshin Hotit!

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.