(2LONLINE) – Era e pluralizmit politik që kishte përfshirë shtetet komuniste ishte përhapur edhe ne Jugosllavi, padyshim edhe në Kosovë. Themelimi i partive të ndryshmepolitike dhe kërkesat për ndarje të popujve që përbenin ish Jugosllavinë komuniste, për Serbinë,në krye të së cilës ishte diktatori Sllobodan Millosheviqi, u panë si e keqja me e madhe dhe gjeneroi luftën e Serbisë kundër të gjithë popujve tjerë duke vrarë,djegur e masakruar gra e fëmijë. Me këto veprime të papara, Serbia mori epitetin “shtet gjenocid “.
Pra, me qëllim të mbrojtjes së pragut të shtëpisë, popullin dhe tokën e Kosovës nga një regjim me tipare gjenocidi edhe ne Gjilan formohet Shtabi i Mbrojtjes Popullore,për fillim me njerëz shumë të besueshëm dhe aktivisht të kyçur në politikë ( LDK ). Me vendimin e udhëheqjes së Degës së LDK-së,që atë botë drejtohej nga Basri Musmurati, ish i burgosur politik, Fatmir Rexhepi,Halil Bllacës ,Sabit Rrustemit etj, themelohet Shtabi i Mbrojtjes. Udhëheqja dhe punët organizative ju besuan: Nazmi Musës, Sali Hasanit, Fehmi Mahmutit, Xhavit Hajdarit, Sali Mustafës, Ukshin Zajmit, Hevzi Maliqit, Sabit Zymberi, Shaqir Rrustemit e Shefik Surdullit.
Me sigurimin e pjese të literaturës profesionale ushtarake,nga një komandant kompanie,Hamdi Zymberi, ish i burgosur politik, anëtarët e shtabit filluan formimin strukturave ushtarake dhe kuadrin komandues të tyre. Brenda një kohe ,relativisht të shkurtër, u strukturuan: 17 kompani që me kuadrin komandues e ushtarë përbenin një numër prej 1853 pjesëtarëve. 15 togje me nga 31 pjesëtarë që numerikisht arrin shifrën 465 pjesëtarë dhe së bashku me sektorët e shtabit prej 40 personave arrinte në një strukturë të përgjithshme prej 2358 pjesëtarë me detyra dhe përgjegjësi të veçanta.
Një rol të rëndësishëm në organizim të strukturës ushtarake dhe vlerësimit e luajti edhe Komisioni i Informimit i Degës së LDK-së të cilin e udhëhiqte me mençuri e besnikëri anëtari i kryesisë së Degës z. Sabit Rrustemi me ekipin e tij.
Për strukturën organizative ushtarake shtabi mbante lidhjen dhe informonte rregullisht Kryetarin e Degës së LDK-së Basri Musmuratin dhe Ministrinë e Mbrojtjes në Prishtinë, përkatësisht personin organizativ për teren,Ramë Marajn. Këto kontakte i mbante komandanti i Shtabit, Nazmi Musa.
/Nazmi MUSA/