(2L ONLINE) – Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) e ka zgjedhur Jashar Jasharin (LDK) për kryesues të kësaj trupe komunale, ndërsa për zëvendëskryesues, Agron Lekën (PDK), të dy mjekë të Spitalit Regjional në Gjilan. Për zgjedhjen e tyre kanë votuar të gjithë anëtarët e KSHMS, pavarësisht prejardhjes partiake që kanë.
Njëherësh, Komiteti është plotësuar me një anëtar të ri, Nexhat Halilin (LDK), pasi Imet Rrahmani është tërhequr nga KSHMS, pas zgjedhjes së tij ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës. Kolegët e deritashëm i kanë uruar Rrahmanit sukses në detyrën e re.
Jashar Jashari, i cili në këtë Komitet ka një përvojë të gjatë, premtoi se do të punojë bashkë me të gjithë, pavarësisht dallimeve politike që kanë mes vete, duke nënvizuar se qëllimi ynë është që t`i shërbejnë qytetarit sa më mirë që është e mundur. “Ne kemi shumë punë për të bërë, prandaj do të vazhdojmë menjëherë me detyrat tona”, ka thënë Jashari.
Ai ka paralajmëruar se së shpejti Komiteti do ta ketë edhe një plan 6-mujor të punës, ku do të përcaktohen prioritet për ditët e ardhshme, me të cilat do të merret kjo trupë komunale, duke i ftuar të gjithë anëtarët që të kontribuojë me propozime konkrete.
Agron Leka tha se pavarësisht dallimeve politike që përfaqësojnë në KSHMS, prioritet i tyre i përbashkët është kujdesi për shëndetin dhe mirëqenien sociale të popullatës.
Të dy këta u uruan nga anëtarët e KSHMS për këto pozita dhe morën premtime për mbështetje në zgjidhjen e sfidave dhe problemeve në shëndetësi dhe mirëqenie sociale. /2L ONLINE/