Jarovic shpreson në vazhdimësinë e ndeshjeve pozitive
Futbollisti i SC Gjilanit, Senad Jarovic në konferencën për media para gazetarëve në prag të sfidës kampionale, që skuadra gjilanase e luan ndaj Suharekës është shprehur optimist që ai me bashkëlojtarët do ta vazhdojnë ecurinë e rezultateve pozitive.
Golashënuesi më i mirë i ekipit ka potencuar faktin se është me rëndësi të vazhdohet me rezultate pozitive pas startit të mirë në pranverë.
“Kemi bërë përgatitjet e duhura për këtë ndeshje dhe synojmë të vazhdojmë ecurinë e rezultateve pozitive në kampionat, pasi që kemi shënuar dy fitore dhe një barazim në këto tri ndeshjet e para. Do të bëjmë maksimumin për të vazhduar këtë ecuri”, ka thënë ai.
Jarovic foli edhe për konkurrencën e cila është rritur ndjeshëm në skuadër, derisa ka vlerësuar gjithashtu edhe partnerin e tij në repartin sulmues.
“Konkurrenca e shëndosh është gjithmonë e rëndësishme dhe e mirëseardhur. Unë ngado që kam shkuar kam patur konkurrencë të shëndosh dhe ardhmja e Almirit (Aganspahicit), gjithashtu është e shëndosh, sepse të dy jemi të motivuar për të punuar më shumë dhe për të dhënë për ekipin” ka thënë Jarovic.
Përndryshe, dueli ndërmjet Suharekës dhe Gjilanit zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 14:00 në Suharekë. /2LONLINE/
