Me tre kartonë të verdhë për simulime në 14 ndeshje, Adnan Januzaj është bërë simuluesi i dytë më i madh në historinë e Premierligës.
Pas ‘aktrimit’ në zonën e West Hamit para dy javësh, talenti kosovar ‘hëngri’ një tjetër ndëshkim në ditën e parë të vitit 2014, në ndeshjen që Manchester United e zhvilloi ndaj Tottenhamit. Pas një depërtimi nga krahu i djathtë, djaloshi nga Istogu u përplas me mbrojtësin mysafir Danny Rose dhe u rrëzua por Gjyqtari Howard Webb vlerësoi se nuk kishte kontakt dhe e zverdhi Januzajn.
Ky i fundit në këtë mënyrë e ka kaluar me ndëshkime për simulime edhe shokun e skuadrës Ashley Young, i cili njihet si njëri ndër ‘aktorët’ më të mëdhenj të futbollit modern, shkruan ‘Daily Mail’.
Përpos këtij ndëshkimi, Januzaj është zverdhur për të njëjtën arsye edhe në takimet ndaj West Hamit dhe Sunderlandit. Me tre kartonë në vetëm 14 paraqitje për United, Adnani është ndëshkuar po aq sa Fernando Torres i Chelseat.