Jam, prandaj ekzistoj!

Jam, prandaj ekzistoj!

Kjo thënie shekullore që e ka përcjell njeriun gati prej ekzistencës së tij, siç vërehet është kuptimplotë dhe shumë reale edhe në kohën tonë.

Shkruan: Flurim Arifi

Ajo cfarë dua të them është se, Republika e Kosovës ekziston, frymon, funksionon, zhvillohet, ndërtohet, jetohet e përjetohet … prandaj edhe kemi kundërthënie, polemika e debate të ndryshme.

Si popull jemi mësuar me situata emergjente, kritike, të paparashikueshme, të rrezikshme dhe çdo herë të përballueshme. Duke mos harruar për asnjë çast se ne jetojmë në Ballkan, dhe siç është e njohur botërisht si epiqendra e fillimit të gati shumicës së luftërave, zënkave dhe konflikteve botërore. Nuk do mend për të kuptuar që shteti jonë i posalindur nuk po mundet kurrsesi të lirohet nga kultura mesjetare. Fatkeqësisht, natyrshëm po funksionojmë si në mesjetë.

Sfidat e mëdha që po i kalojmë si shoqëri janë sfida dhe probleme shekullore, kjo nënkupton që zgjidhja e tyre kërkon dije, përkushtim, disiplinë dhe padyshim kërkon IDEOLOG, për të nisë zgjidhjen e këtyre problemeve shekullore.

Si popull npërgjatë historisë kemi patur prijës të popullit, prijës që kanë lindur nga populli dhe për popullin, duke filluar nga i madhi Skënderbeu, e deri në kohën tonë, të lavdishmin komandantin legjendar Adem Jashari. Duke i kuptuar këto fakte, duke e analizuar situatën tonë si popull dhe si territor me shtrirje gjeografike në Gadishullin Ballkanik, lehtësisht mund twë vijmë në përfundim që kombi ynë asnjëherë më mirë nuk i ka pasur punët, apo duke cituar një veprimtar të çështjes sonë kombëtare ` çdo ditë që po vjen, është ditë më e mirë se dje`.

Proceset nëpër të cilat kemi kaluar si popull kanë qenë procese jo të lehta, sfiduese dhe kërcënuese për ekzistencën e popullit në tërësi. Populli shqiptar, ka qenë është dhe do të jetë vital, pavarësisht se në cilin vendit, shtetit dhe rrethanave që gjendet, sepse, në shpirtin e tij jeton ideologjia e rilindasve tanë, lufta për shtet, për liri pavarësi dhe zhvillim.Historia ka treguar që në momentet më kritike të një populli, zakonisht shfaqen ideologët të cilët udhëheqin popullin e tyre përgjatë sfidave që në parim shfaqen si të pazgjidhura, dhe pafund.

Por, le të kthehemi tek sfidat e tanishme, ku si shtet, Republika e Kosovës në vitin e saj jubilar të pavarësisë, është duke u ballafaquar me një temë të rëndë, e që në parim është sfidë shekullore. Arritja e një paqe afatgjate me fqinjët tanë, popullin serb.

Shteti serb shfrytëzon dobësitë tona historike, ndasitë e spektrit politik shqiptar. Mungesa e traditës është duke dëmtuar interesin shtetëror dhe kombëtarë. Mungesa e përvojës institucionale, paragjykimet ndaj emrave dhe inatet personale janë duke e rrezikuar shtetformimin e Republikës sonë.

Prandaj, nevoja për të patur një qëndrim serioz ndaj interesave shtetërore, është urgjente. Partitë politike, kanë marr përgjegjësi nga populli i Kosovës që të përfaqësojnë interesat e shtetit dhe shoqërisë Kosovare.

Duke mos harruar këtë, deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës si të zgjedhurit e popullit kanë përgjegjësi për zhvillimet në të cilat po kalon shteti i Kosovës. Populli i Kosovës nuk është i interesuar që të dëgjoj dhe shoh llojlloj shfaqje teatrale, por kërkon përkushtim të lartë nga të zgjedhurit e popullit, që interesat e shtetit të Kosovës t`i vënë para interesave partiake a individuale.

Një gjë është e sigurt, sfidat do të kalohen, Republika do të vazhdojë, por edhe historia do të shkruaj, edhe për burrështetasit edhe për frikacakët.Republika është prandaj ekziston!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE