DYLON

Jam dëshmi se gratë mund të jenë të suksesshme në pozita kyçe

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Valentina Bunjaku-Rexhepi

/2L ONLINE/ – Po përfundon edhe një vit kalendarik dhe për Kuvendin Komunal të Gjilanit, kryesuese e të cilës jam, mund të vlerësohet se ishte një vit i një pune të suksesshme që ka bërë ky organ më i lartë në komunë, i cili zgjedhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.

EkoHigjiena

Në të gjitha ato seanca që janë mbajtur deri më sot, përfshirë edhe takimet e komiteteve përkatëse, si trupa të Kuvendit, duke përfshirë edhe Komitetin për Politikë dhe Financa (KPF), të cilën po ashtu e drejtojë, mund të konkludohet lirisht se është bërë një punë e madhe, Kuvendi Komunal në punën e saj, u shqua për transparencë të madhe, për hapësirë të bollshme për debat të hapur e të lirshëm për çështje të trajtuara, dhe po ashtu edhe për trajtimin, respektimin dhe hapësirën e bollshme edhe për opozitën, që po ashtu ka meritat e saj që kishim një Kuvend të suksesshëm.

Kuvendi i Komunës , përgjatë këtij viti ka qenë përherë në shërbim të qytetarëve , ka mbrojtur interesin qytetar që ka qenë përherë prioritet i Kuvendit dhe për këtë janë dhënë vlerësime pozitive edhe prej monitoruesve, ndërkohë që edhe ato vërejtje apo rekomandime që janë dhënë nga OJQ-të monitoruese, do të merren seriozisht dhe do të jenë në planin e punën për vitin 2016 që të inkorporohen në mënyrë që të avancojmë edhe më tutje punën e Kuvendit.

Kuvendi ka për qëllim rritjen e cilësisë dhe të performancës së Komunës dhe këtë e kemi arrit përgjatë 2015-tës dhe do të vazhdojmë edhe në vitin vijues.

Përgjatë edhe këtij viti sa isha në krye të këtij organi është dëshmuar se gruaja mund të jetë e suksesshme në pozita kyçe dhe kudo ku e merr besimin andaj i inkurajojë gratë në politikë të marrin sa më shumë përgjegjësi. Ndër, tjerash, vlen të theksohet se këtij viti Kuvendi ka shpallë qytetarë nderi të komunës, Hanife Malaj si dhe Rexhep Berisha pra njëra grua, duke dëshmuar se edhe ky organ i Komunës, në këtë qeverisje, po e trajton gruan në mënyrën më të mirë të mundshme.

Thënë në përgjithësi , përgjatë 2015 Kuvendi Komunal i Gjilanit, me mua kryesuese, ka marrë një mori vendimesh në interes të Gjilanit dhe qytetarëve të saj.

Po ashtu nuk mund pa përmend edhe punën e mirë që është bërë nga forumi i Gruas së LDK-së, kryetare e të cilës jam. Më duhet patjetër të përmend se FG i LDK-së së Gjilanit është Forumi më i suksesshëm në Kosovë nga të gjitha forumet e partive politike, dhe për këtë dua të falënderojë të gjithë ato zonja e zonjusha që janë angazhuar për këtë, duke u nis nga kryesia e Forumit, kryesia e nëndegëve, strukturat tjera, anëtarësia e gjerë, pra të gjithë janë meritore, për shkak të angazhimit dhe vullnetit të madh që e kanë treguar për të qenë aktive dhe për të treguar performancë të mirë.

Të gjithë bashkë jemi dëshmi se, sidomos në Anamoravë, gruaja mundet, nuk ka barriera , përkundrazi përkrahet edhe nga burrat , që të tregohet e suksesshme kudo që merr besimin. Këtu dua të falënderojë të gjithë ato që më kanë mbështetur deri më tani dhe që më kanë besuar duke u premtuar se nuk do t’i zhgënjejë asnjëherë. Ndërkohë dëshirojë t’u kërkojë falje të gjithë atyre zonjava dhe zonjushave për të cilat nuk kam arrit të bëjë ndoshta më tepër, por i sigurojë se angazhimi im nuk do të mungojë as në 2016-tën dhe se kurrë nuk do t’i harrojë ato dhe besimin e tyre që ma kanë dhënë.

Dhe, krejt në fund, dua t’iu sigurojë se krejt këto suksese të gruas gjilanase nuk do të mund të ndodhnin përgjatë këtij viti, po të mos ishte mbështetja e njeriut të parë të komunës, kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri, i cili ofron përherë dhe pa asnjë rezervë mbështetjen e tij për gratë, jo vetëm në Gjilan, por edhe më gjerë. Mbështetjen e tij e kemi të garantuar përherë andaj i inkurajojë zonjat dhe zonjushat të mos hezitojnë por të angazhohen edhe më shumë sepse kjo qeverisje e Gjilanit ka krijuar hapësirë të bollshme dhe mbështetje të përhershme për ta dëshmuar ne veten tonë.

Dhe pë fund, me që jemi në fundviti, më lejoni që të përcjellë urimet e mira më të përzemërta për Festat e Fundvitit, për të gjithë qytetarët e Gjilanit pa dallim.

Gëzuar 2016. Shumë urime për të gjithë Ju!

Gjilan, 28 Dhjetor 2015