(2LONLINE) – Gjatë monitorimit të seancës së fundit të Kuvendit Komunal të Kamenicës, kemi vërejtur shkelje ligjesh, rregulloresh e dokumentesh. Asambleistët, tri herë kanë shkelur mbi Planin Zhvillimor Komunal, dokument të miratuar po në këtë mbledhje. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal duhet të reagoj në lidhje me këto veprime të kundërligjshme dhe t’i shfuqizoj vendimet, ashtu siç ka vepruar edhe në disa raste më parë. Barra kryesore për këto shkelje bie mbi kryesuesin e Kuvendit, i cili nuk ka dëshmuar se është i aftë për të udhëhequr me legjislativin e Komunës. Kështu ka vlerësuar Amir Jakupi, monitorues në projektin që menaxhohet nga KDI-ja.
Ai shpreh shqetësim për një numër të madh të këshilltarëve komunalë, të cilët më shumë e luajnë rolin e makinave të votimit, sesa përfaqësuesve të interesit qytetarë.
“Në mbledhjen e fundit, me një kohëzgjatje maratonike, është vërejtur tendenca e disa këshilltarëve opozitarë që t’i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe ta ndryshojnë tërësisht agjendën e Kuvendit, për çka nuk kanë marrë vërejtje nga kryesuesi”, ka theksuar Jakupi.
Shqetësuese sipas tij, është se seanca nuk udhëhiqet në përputhje me rregulloren. Kryesuesi duhet tua tërheq vërejtjen këshilltarëve të cilët tejkalojnë kohën për diskutim dhe shkelin rregulloren në rastin e replikave, përfshirë edhe përjashtimin e tyre nga mbledhjet.
“Mbledhjet duhet të nisin në orarin e paraparë, e jo me 20 e 30 minuta vonesë siç është bërë praktikë. Është e pahijshme për disa këshilltarë, të përdorin telefonat gjatë mbledhjes dhe dalin shpesh gjatë kohës së votimeve”, është vërejtja tjetër e monitoruesit të ekzekutivit dhe legjislativit të komunës së Kamenicës.
Ai ka përshëndetur unanimitetin e asambleistëve për të ndihmuar financiarisht rregullimin e hyrjes së xhamisë “Gani Sermaxhaj” dhe themelimin e Zonës Ekonomike në komunën e Kamenicës. Gjithashtu i ka bërë thirrje ekzekutivit të vazhdoj me këtë trend të uljes së shpenzimeve, siç ka vepruar në tremujorin e parë të këtij viti. /2lonline/