Kushdo që ka ndjekur me pak me vëmendje sulmin e egër policesk me përmasa deri “spektakolare” të Qeverisë së Maqedonisë në Lagjen e Trimave në Kumanovë, nuk e ka pasur të vështirë të vërejë se me të gjitha parametrat e veprimit e të shkatërrimit, të një qendre krejtësisht urbane e civile, të kujtonte skenarin identik të sulmeve policore e paramilitare të makinerisë serbe mbi vendbanimet shqiptare në Kosovë, gjatë luftimeve të viteve 1998-1999.
Sulmi në Lagjen e Trimave të Kumanovës është një dëshmi tjetër e faktuar tashmë se Maqedonia e Gruevskit për t’u shkatërruar nuk ka nevojë për ndonjë sulm të jashtëm, sepse ajo po vetëshkatërrohet, ashtu siç u shkatërrua edhe Federata Jugosllave nga “agresioni” i brendshëm i nacionalizmit serb. Sigurisht se ky konstatim, respektivisht krahasim, nuk është i vetmi krahasim i politikave shoviniste të Ballkanit.
Nacionalizmi serb i Millosheviqit nisi duke ngritur mitin mesjetar serb të kishave e të carëve serbë, sipas motos: “Aty ku ka një varr serb është Serbi”(!) Përqendrimi i politikës fashiste të Millosheviqit kulmoi duke u përqendruar përfundimisht në drejtim të Kosovës dhe të popullit shqiptar. Ndonëse maqedonasit nuk kanë histori as të Lashtësisë (Antikitetit) e as të Mesjetës, krejt-krejt madje deri në ditët e Luftës së Dytë Botërore, Gruevski me të marrë pushtetin e dha urdhrin për ndërtimin e monumenteve “antike” e “mesjetare”, duke përvetësuar historinë ilire dhe të Lekës së Madh (Aleksandrit), nisi ndërtimin e mitit maqedon mbi figurat mitike me një kiçnacionalizëm gjoja “antik” e “mesjetar”! Edhe me këtë rast, po si Millosheviqi, sulmi i Gruevskit është i drejtuar kundër shqiptarëve, të cilët i sheh vetëm si “mish për top”. Sikundër Millosheviqi dje, por edhe si Gruevski sot, nuk patën e as kanë sy e veshë t’i dëgjojnë kërkesat e shqiptarëve për barazi e të drejta. Millosheviqi kërkonte dëbimin dhe shfarosjen e shqiptarëve, prandaj e kërkonte luftën për të ushtruar gjenocidin mbi shqiptarët dhe të tjerët. Edhe Gruevski, edhe pse ka një marrëveshje të nënshkruar në Ohër, të arritur pas konfliktit të vitit 2001, nuk e merr mundin për realizimin e saj, se nuk e do paqen mes maqedonaseve e shqiptarëve, nuk e do lirinë e barazinë e këtyre dy kombeve shtetformuese. Me politikën e tij shoviniste, Gruevski e do Maqedoninë vetëm për maqedonasit! Pra, pa shqiptarët. Gruevski me këtë politikë duket se përfundimisht i ka shtyrë shqiptarët drejt kërkesës së ligjshme për federalizmin e Maqedonisë.
Shqiptarët e Maqedonisë Perëndimore e kanë të drejtën e pakontestueshme për të shtruar kërkesën e tyre për të qenë shtetformues dhe të barabartë, por kjo nuk mund të arrihet pa federalizimin e Maqedonisë. Shqiptarët si shtetformues legjitim duhet patjetër t’i shfrytëzojnë të gjitha format tjera të realizimit të të drejtave të tyre sipas precedentëve të rajonit dhe të botës së qytetëruar. Armët duhet të jenë“zgjidhja” e fundit që duhen përdorur. Sulmi i urdhëruar nga Gruevski mbi lagjen e shqiptarëve në Kumanovë dhe përmasat e shkatërrimit, për aq sa kemi parë, janë dëshmia më e mirë se Maqedonia kështu siç është dhe siç po vepron me stereotipat millosheviqiane, nuk mund të ekzistojë. Shqiptarët nuk mund të jetojnë me ankthin e sulmeve te makinerisë banditeske të Gruevskit, kurdo që atij i nevojitet për të mbetur në pushtet. Mënyra sesi Gruevski po “qeveris” dhe se çfarë qeverisjeje reflektoi dhe kulmoi me Kumanovën, po e tregojnë dita-ditës përgjimet e zbuluara dhe të publikuara nga opozita maqedonase. Dhe përgjimet tregojnë qartë sesi pushteti monton, destrukton, inskenon dhe vepron sipas skemave tashmë të njohura të regjimeve kriminale për të mbetur edhe ndonjë ditën në pushtet.
Edhe nëse ka pasur shqiptarë të armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë, gjë që mund jetë, madje edhe është pasojë e pasigurisë së qytetarëve shqiptarë në Maqedoni, nuk e justifikon sulmin barbar e shkatërrues të regjimit të millosheviqianit Gruevski. Në anën tjetër, nëse ka shqiptarë që zgjedhjen e kërkojnë me armë dhe jashtë institucioneve ku përfaqësohen ata, kjo bëhet për arsye se ata e kanë humbur besimin te përfaqësuesit e tyre politikë, që janë pjesë e qeverisë që i vret shqiptarët dhe i shkatërron vendbanimet dhe pronën e tyre.
Nuk paragjykoj ta di sesi do të ndihen qeveritarët shqiptarë në Qeverinë e neomillosheviqianit Gruevski, por akti i dorëheqjes është gjëja më e vogël që do të mund të bënin ata në këto momente vendimtare! Vazhdimi i mbetjes së tyre në atë qeveri, është treguesi më i mirë se ata aty nuk janë për interesin e shqiptarëve të Maqedonisë Perëndimore, por janë ekskluzivisht për interesa vetjake.
Koha dhe jo vetëm koha, por ditët e ardhshme do ta dëshmojnë këtë!