Jahjaga: T’i krijojmë institucionet për të shmangur krizën
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka vazhduar takimet me liderët politikë me qëllim të gjetjes së një zgjidhe për të dal nga ngërçi politikë.
Ajo sot ka pritur në takime të ndara kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limaj dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me të cilët bisedoi për mënyrat e zgjidhjes së situatës së krijuar me ndërtimin e institucioneve të vendit.
Në një deklaratë për shtyp nga Zyra e presidentes, thuhet se në takim me liderët e partive politike parlamentare, Jahjaga theksoi se i gjithë procesi lehtësues i diskutimeve po bëhet me qëllim të ofrimit të zgjidhjeve të qëndrueshme për ndërtimin e institucioneve dhe bazuar në gjithë kuadrin kushtetues të vendit. Ajo tha se do të vazhdojë që të luaj rolin e unitetit të popullit, duke ruajtur paanësinë nga çdo ndikim partiak dhe duke ndihmuar që të ndërtohen institucione të qëndrueshme të shtetit, që do të marrin përsipër obligimet dhe përgjegjësitë për proceset në të cilat ndodhet vendi.
Presidentja tha se në rolin e saj kushtetues të garantuesit të funksionimit demokratik të institucioneve kërkon nga liderët e të gjitha partive politike parlamentare dhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të gjejnë zgjidhje më shpejt për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme në vend, për të shmangur çdo mundësi të futjes së vendit qoftë në krizë më të thellë, qoftë në zgjedhje të parakohshme.
