Presidentja në largim, Atifete Jahjaga ka falënderuar ekipin e filmit “Shok”, që rrëfimin tonë e dërgoi në një ngjarje me jehonë globale. Ajo ka shkruar në rrjetin social facebook se ky është një sukses i jashtëzakonshëm për kinematografinë kosovare dhe artistët kosovarë.
Ja postimi i plotë i Jahjagës në facebook:
Në orët e hershme të mëngjesit, së bashku me Ambasadorin britanik dhe shumë të rinj të Kosovës, në njërin nga lokalet e kryeqytetit përcollëm ceremoninë e ndarjes së çmimit Oscar. Duke ju falënderuar një ekipi të përkushtuar e të talentuar që në një skenë të tillë dërgoi rrëfimin tonë përmes filmit Shok, për herë të parë në jetën tonë u bëmë pjesë e kësaj ngjarje me jehonë globale. Kishim rrëfim për të ndarë me të tjerët, një vlerë të veçantë për të kontribuar, një ëndërr për ta realizuar. Dëshmuam edhe një herë se kur na jepet mundësia kemi shumë për të ofruar.
Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për kinematografinë kosovare dhe artistët kosovarë. Ju përgëzoj për arritjet e deritashme si komunitet dhe duke qenë dëshmitare e ngazëllimit dhe vullnetit tuaj e di që nuk është larg dita kur do ta sjellim Oscarin në Kosovë.
“Shok” është fituesi ynë.