Liderët e të gjitha partive politike në Kosovë do të jenë sot mysafirët e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, me të cilën do të bisedojnë çështjet e transformimit të misionit ndërkombëtarë EULEX dhe krijimin e Gjykatës Speciale. Këtë e ka bërë të ditur, këshilltari i Presidentes, Arbër Vllahiu, i cili tha se nga presidenca veç se kanë shkuar ftesat.
“Ne kemi dërguar ftesat sot për të gjithë liderët politik që presidentja do të takojë nesër ku do të diskutohet ky dokument i cili do të dërgohet më pastaj në Bruksel”, ka thënë Vllahiu.
Sipas Vllahiut letra përmban tri elemente, çështja e transformimit të EULEX-it, çështja e krijimit të gjykatës dhe disa çështje të tjera të cilat kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe drejtësisë në Kosovë. Pjesëmarrjen e ka konfirmuar deri më tani lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili në një njoftim për media ka thënë se takimi i tyre do të bëhet në orën 11:30.