DYLON

Jahjaga: Marshi tregon solidaritetin e botës

Avatar photo Redaksia

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në marshin e madh Republikan, të organizuar në kryeqytetin e Francës, Paris, në nderim të viktimave të sulmit mbi Charlie Hebdo.

Presidentja Jahjaga ishte e shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm, zotëri Hashim Thaçi. Përpara fillimit të marshit, Presidentja Jahjaga dhe ministri Thaçi u pritën në Pallatin presidencial nga Presidenti i Republikës së Francës, Francois Hollande, të cilit i shprehën ngushëllimet e popullit të Kosovës për viktimat e aktit terrorist në Paris ditë më parë.

EkoHigjiena

Në marshin republikan, në nderim të viktimave të sulmit terrorist në Paris, morën pjesë qindra mijëra qytetarë. Në marshin republikan pjesëmarrës ishin president i Komisionit Evropian, Jean Claud Juncker, kancelarja e Gjermanisë, zonja Angela Merkel, kryeministri i Britanisë së Madhe, zotëri David Cameroon, kryeministri i Italisë, zotëri Matteo Renzi, kryeministri i Izraelit, zotëri Benjamin Netanjahu, kryeministri i Shqipërisë, zotëri Edi Rama, si dhe udhëheqës të shumtë të vendeve të ndryshme të botës.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se marshi në Paris dëshmon solidaritetin e botës demokratike me popullin e Francës, që ka përjetuar këto ditë akte të rënda të barbarisë mbi qytetarët e saj dhe sulme mbi një prej vlerave më të çmuara të shoqërisë – lirinë e shprehjes dhe të fjalës. Presidentja Jahjaga tha se sulmet mbi vlerat demokratike dhe mbi lirinë e shoqërive tona nuk mund të na zmbrapsin nga lufta e përbashkët për ndërtimin e një bote më të sigurt.

http://www.rtklive.com/?id=2&r=16653