DYLON

Jahjaga: Kosova të trajtohet sikurse vendet e tjera

Avatar photo Redaksia

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti komisionerin e BE-së për Politikat e Fqinjësisë dhe Negocim të Zgjerimit, Johannes Hahn, me të cilin bisedoi për perspektivën evropiane të Kosovës, përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave dhe të MSA-së për Kosovën, migrimin ilegal të qytetarëve të vendit, si dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, përmes dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për përmbushjen e reformave në agjendën evropiane dhe të përshpejtimit të procesit të integrimit, por tha se Kosova ka nevojë për një përkrahje më të madhe nga BE-ja, posaçërisht në përmbylljen e procesit të MSA-së dhe të liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit. Ajo tha se Kosova duhet të trajtohet nga BE-ja në mënyrë të ngjashme sikurse edhe të gjitha shtetet e tjera, në kuadër të perspektivës evropiane për rajonin.

EkoHigjiena

Presidentja Jahjaga theksoi se prioritet i punës së institucioneve të vendit është vendosja e sundimit të ligjit dhe rendit, zhvillimi ekonomik dhe ulja e shkallës së papunësisë, që do të ndalojë edhe migrimin ilegal, një fenomen që ka prekur Kosovën në muajt e fundit.

Duke folur për dialogun me Republikën e Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se është me rëndësi rifillimi i tij dhe arritja e marrëveshjes për çështje të drejtësisë, bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës, por tha se dialogu duhet të jetë transparent për qytetarët dhe se të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të përmbushen plotësisht.

Komisioneri i BE-së për politikat e fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, zotëri Johannes Hahn, duke e vlerësuar rolin e Presidentes Jahjaga, theksoi se është me rëndësi për Kosovën ruajtja e stabilitetit dhe angazhimi në thellimin e reformave të brendshme që do të mundësojnë edhe zhvillim ekonomik. Ai tha se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me migrimin ilegal dhe theksoi se procesi i vlerësimeve të përmbushjes së kritereve për liberalizim do të vazhdojë. Zotëri Hahn tha se rifillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është me rëndësi të veçantë, sepse kjo do të ndihmojë edhe më shumë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.