Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim një delegacion të Komisionit Evropian, të udhëhequr nga zëvendësdrejtori i Drejtoratit të Përgjithshëm për Zgjerim dhe njëherësh Shefin Negociator të BE-së për MSA-në, Joost Korte.
Presidentja Jahjaga falënderoi atë për mbështetjen dhe kontributin që ka dhënë për institucionet e Kosovës, në procesin e negociatave të MSA-së dhe në përgjithësi në përpjekjet për zbatimin e agjendës evropiane.
Jahjaga theksoi se rajoni ka bërë një përparim të konsiderueshëm në rrugën drejt BE-së dhe në promovimin e bashkëpunimit rajonal, me mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian, transmeton RTK.
Ajo theksoi se ky momentum duhet të mbahet dhe Kosova është e përkushtuar për të përmbushur të gjitha reformat e nevojshme që ta përfundojë me sukses procesin e negociatave të MSA-së.
Zëvendësdrejtori i Drejtoratit të Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Joost Korte, theksoi se Kosova në dy vitet e fundit ka shënuar përparime në rrugën evropiane. Ai vlerësoi se është i kënaqur me përparimin e arritur dhe efikasitetin e dy raundeve të deritanishme të negociatave të MSA-së.
Korte tha se Kosova duhet të vazhdojë të tregojë progres në reformat e përcaktuara në Studimin e Fizibilitetit të Komisionit Evropian.