Komandanti i KFOR-it, Francesco Paolo Figliuolo, në fjalimin e tij të fundit, u është falenderuar kosovarëve për mikëpritjen që u kanë bërë forcave të NATO-s. Ai ka thënë se siguria në vend është rritur falë punës së institucioneve të Kosovës dhe si rezultat i kësaj forcat e KFOR-it janë 10 herë më të vogla se në vitin 1999. Pas gjeneralit Figliuolo, në këtë detyrë është emëruar Major General Guglielmo Luigi Miglietta, i cili është italiani i 3-të që do të jetë në krye të KFOR-it.
Në fjalën e rastit presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se për 16 vjet bashkëpunim me KFOR-in, ka mësuar se me durim mund të arrihet gjithçka.
Ja fjala e plotë i Presidentes Jahjaga:
Për 16 vjet me radhë së bashku kemi numëruar sukseset dhe të arriturat tona të përbashkëta, në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë dhe në ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron toleranca dhe mirëkuptimi. Viti pas viti kemi dëshmuar se së bashku mund ta bëjmë Kosovën, një vend të dashur jo vetëm për ata që kanë lindur dhe janë rritur këtu, por edhe për të gjithë ata që kanë kaluar pjesë të jetës së tyre në këtë vend.
Në 16 vjet kemi mësuar se paqja arrihet me durim dhe me punë e sakrificë dhe mirëmbahet me besim dhe dashuri. Në këto 16 vjet burrat dhe gratë e forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, kanë qenë përkrah popullit të Kosovës në ruajtjen e paqes, në ndërtimin e mjedisit të sigurt për të gjithë dhe në promovimin e vlerave demokratike – të ndërtimit të lidhjeve ndërmjet njerëzve.
Nuk ka qenë aspak e lehtë rruga që e kemi kaluar së bashku, një rrugë e krijimit të mirëbesimit, e ruajtjes së sigurisë dhe paqes, e ndërtimit të jetëve të njerëzve nga rrënojat e luftës dhe një rrugë e filluar, sado e rëndë, e pajtimit ndërmjet njerëzve.
Ju – oficerë e ushtarë të KFOR-it, të gjithë ju që i keni qëndruar përkrah popullit të Kosovës, në çdo kohë, që prej më shumë se 16 vjetësh, jeni shndërruar në simbolin më të rëndësishëm të paqes dhe të garantuesit të përparimit të shoqërisë. Populli i Kosovës do të çmojë përgjithmonë përkrahjen tuaj dhe besimin që keni pasur në Kosovën, si një vend i shpresës dhe i përparimit. Do të vlerësojë përgjithmonë miqësinë që e keni ndërtuar dhe vendosmërinë – që së bashku ta shndërrojmë Kosovën në faktor stabiliteti e paqeje në rajon dhe më gjerë.
Partneriteti ynë është rruga e suksesit. Dhe ky partneritet e ka ndihmuar Kosovën në ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbi standardet e NATO-s dhe po ky partneritet i ka ndihmuar kësaj Force të përmbushë kapacitetet e saj operacionale, duke e bërë Forcën e Sigurisë së Kosovës të aftë për t’u shndërruar në një forcë mborjtëse, që do të reflektojë përbërjen etnike të Kosovës. Partneriteti është edhe e ardhmja e jonë. Dhe një dëshmi se ndajmë vlerat dhe idealet e përbashkëta që i ndërtojmë me mbështetjen e mijëra ushtarëve që shërbejnë e kanë shërbyer në Kosovë. Kjo vendosmëri jona e bën Kosovën një partner të NATO-s dhe të mekanizmave të rëndësishëm të sigurisë në botë, në kohë sfidash globale, kur na duhet një përgjigje e përbashkët ndaj cilitdo kërcënim ekstremist e radikal për sigurinë jo vetëm në vend por edhe në rajon e më gjerë. Partneriteti ynë në rajon, në fushën e sigurisë, do të pengojë ndikimet radikale mbi qytetarët tanë dhe do të ndërpresë aktivitetet terroriste, duke e bërë gjithë Ballkanin, një vatër të stabilitetit dhe të sigurisë. Dhe prandaj Kosova dhe krahas saj edhe shtetet e tjera në rajon, përfshirë Maqedoninë, kanë treguar se janë të pakompromis në luftën kundër ekstremizmit si kërcënim global. Kosova sot është pjesë e pandashme e arkitekturës së sigurisë që ruan vlerat fondamentale të demokracisë – lirinë e njerëzve, barazinë dhe respektin për secilin pa dallim dhe një vend që aspiron të jetë pjesë e barabartë e familjes evropiane dhe kontribuuese e sigurisë kolektive si pjesë e NATO-s. Së bashku me ju, paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, kemi ruajtur frymën e tolerancës dhe të besimit në njëri tjetrin.
Të nderuar pjesëmarrës,
Ndërrimet e komandave të KFOR-it në Kosovë, shënojnë një simbolikë të fuqishme dhe gjithsesi edhe tregojnë përkushtimin e paqeruajtësve për këtë vend. Mbi të gjitha mbështetjen e NATO-s për një Kosovë demokratike dhe të sigurt, në paqe me të gjithë.
Dhe sot dua veçanërisht të theksoj rolin e jashtëzakonshëm të komandantit të KFOR-it, gjeneralit Francesco Paolo Figliuolo. Kur keni marrë komandën e KFOR-it vitin e kaluar, e keni gjetur Kosovën në një moment delikat, kur është testuar demokracia e saj dhe kur kemi zhvilluar betejën e ndërtimit të institucioneve, pas zgjedhjeve jashtëzakonisht të mira e demokratike. Ju më keni inkurajuar dhe mbështetur në detyrat e rëndësishme institucionale të ruajtjes së integritetit dhe sovranitetit të vendit, dhe mbi të gjitha të sigurisë së tij. Së bashku kemi ruajtur stabilitetin e brendshëm dhe kemi dëshmuar se demokracia e re në Kosovë është funksionale. Ne kemi arritur objektiva të rëndësishme brenda kësaj periudhe kohore, duke bërë hapa të mëdhenj në integrimin e qytetarëve në institucione dhe shoqërinë e vendit dhe së fundi edhe në përmbushjen e obligimeve tona ndërkombëtare karshi drejtësisë. Kemi dëshmuar se jemi të përkushtuar për drejtësinë për të gjithë.
Gjeneral Figlioulo, në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës ju faleminderit! Për kontributin tuaj në forcimin e paqes dhe stabilitetit të Kosovës, unë ju nderoj me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.
Gjeneral Miglietta, mirë se erdhe në Kosovë!
Ju siguroj se institucionet e Kosovës do të punojnë së bashku me ju në rrugën e suksesit të përbashkët për të ruajtur vlerat e ndërtuara nga mijëra ushtarë në ruajtjen e paqes në Kosovë. KFOR-i vazhdon të jetë institucioni më i vlerësuar dhe besoj fuqishëm se do të vazhdoni të jeni garanti më i fortë i një mjedisi të sigurt për qytetarët e Kosovës.
Të nderuar të pranishëm,
Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë vizionin tonë të një vendi me aspiratë e synim të qartë për të qenë pjesë e BE-së dhe kontribuuese e rëndësishme e sigurisë kolektive. Gjithsesi një shtet modern dhe demokratik, shtet ligjor dhe i përparuar, shtet i secilit qytetar të saj, pa dallim.”