Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur sot Komandantin Suprem të NATO-s, Gjeneralin Philip Breedlove, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zgjedhjet lokale, dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndërtimin e mëtejshëm të infrastrukturës së sigurisë së Kosovës dhe integrimin në aleancën veriatlantike.
Presidentja Jahjaga tha se Komandanti i NATO-s e gjen Kosovën dhe rajonin në një fazë të rëndësishme dhe njëherit të ndjeshme të normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve, të cilat kërkojnë investimin e mëtejshëm të NATO-s dhe forcës së saj paqeruajtëse, KFOR, në Kosovë për të garantuar sigurinë dhe për të krijuar një ambient që mundëson integrimin e të gjitha komuniteteve në vendin tonë. Ajo falënderoi për punën e palodhshme mijëra gra dhe burra që shërbejnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë për krijim e mundësisë që qytetarët e Kosovës të zhvillojnë vendin e tyre, transmeton RTK.
Presidentja e Republikës së Kosovës theksoi se institucionet e vendit janë përqendruar për të zgjidhur nyjat politike që të sigurojnë integrimin e plotë të vendit dhe për të vendosur rendin dhe ligjin në çdo cep të territorit të Kosovës, kusht ky për të forcuar stabilitetin dhe funksionimin demokratik të Kosovës dhe për t’i hapur dyert zhvillimit më të hovshëm ekonomik. Presidentja kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në Bruksel dhe të kushtëzojë përparimin e dy vendeve drejt integrimit në BE me suksesin e implementimit të tyre.
Presidentja Jahjaga e njoftoi Gjeneralin Breedlove edhe për procesin e rishikimit të sektorit të sigurisë që është në fazat përmbyllëse, duke theksuar se ky proces është i lidhur ngushtë me identifikimin e nevojave të Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë. Presidentja Jahjaga kërkoi nga Komandanti Suprem i NATO-s që të gjenden modalitetet që do të lejojnë vendosjen e marrëdhënieve zyrtare mes NATO-s dhe Republikës së Kosovës si përmbushje e vizionit të shtetit tonë për të realizuar integrimet evroatlantike dhe anëtarësimin eventual në NATO.
Komandanti Suprem i NATO-s, Gjenerali Breedlove e nënvizoi gatishmërinë e tij dhe forcave paqeruajtëse të KFOR-it që të vazhdojnë punën e tyre në Kosovë për të garantuar suksesin e përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të Kosovës.
Ai përgëzoi Presidenten Jahjaga për përpjekjet e Kosovës për të integruar të gjitha komunitetet në jetën institucionale dhe shoqërore dhe në normalizimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje.