Në kuadër të Samitit Ndërkombëtar të Gruas, që po i zhvillon punimet në New York të SHBA-së, Presidentja Jahjaga mori pjesë në panelin e organizuar me temën “Gratë Paqebërëse” (Women Peacemakers) në të cilin foli për rolin e gruas në Kosovë në periudha të ndryshme. Në panel pjesëmarrëse ishte edhe ambasadorja amerikane Melanne Verveer.
Në fjalën e saj, Presidentja Jahjaga theksoi rolin e jashtëzakonshëm që gruaja në Kosovë ka luajtur në periudhën e luftës, gjatë viteve 1998-1999, duke thënë se ajo ka qenë viktima më e madhe, sepse përveç humbjeve të jetëve në familje ajo është dashur që të përkujdeset jo vetëm për fëmijët, por gjithashtu të marrë rolin e kreut të familjes.
“Në fshatra dhe qytete gjithandej Kosovës, gratë ndihmuan që shoqëria të ecë përpara. Ato u bënë shtylla të shtetit të ri të cilin e ndërtuam nga rrënojat. Ato ishin të forta. Dhe gjithashtu të pakompromis në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për fëmijët e tyre”, tha Presidentja Jahjaga.
Duke folur për rolin e gruas në Kosovë në procesin e rindërtimit të vendit dhe të ndërtimit të mirëbesimit, Jahjaga theksoi se gratë kanë arritur që të sjellin në tavolinë pragmatizëm dhe përkujdesje. Ajo tha se roli i gruas është qenësor sepse ato nuk ikin nga tryeza e negociatave pa gjetur zgjidhje.
Ajo foli edhe për angazhimin e saj në Policinë e Kosovës, një force të sigurisë që është ndërtuar mbi standardet demokratike që ofron sigurinë për të gjithë qytetarët, dhe gjithashtu një force që ka arritur të krijojë besimin në mesin e qytetarëve.
Ajo tha se si Presidente e vendit ka provuar që të bëjë bashkë të gjitha palët në dialog dhe në mirëkuptim të ndërsjellë.
“I theksoj shqetësimet tona të përbashkëta për të treguar se pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare, ne ndajmë shqetësime dhe shpresa për të ardhmen. Vazhdimisht kërkoj agjenda që bashkojnë qytetarët e Kosovës dhe i siguroj të gjithë se Kosova është shtëpia jonë e përbashkët dhe përparimi i saj nënkupton përparimin për secilin që e quan atë shtëpi të veten”, tha Jahjaga, në fjalën e saj në panelin për “Gratë Paqebërëse”, që u mbajt në kuadër të Samitit Ndërkombëtar të Gruas “Gratë në Botë”.
Presidentja Jahjaga, gjatë punimeve të Samitit Ndërkombëtar “Gratë në Botë”, ka takuar ish-presidentin e SHBA-së, Jimmy Carter.