Jahjaga e Jacobson kanë vënë gurthemelin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë
Presidentja, Atifete Jahajga dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson kanë vënë gurthemelin për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së Amerikës në Kosovë.
Me ketë rast ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy Ann Jacobson para të pranishmëve tha se me fillimin e ndërtimit të ambasadës marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve do të thellohen edhe më shumë.
“Në këto 16 vite ekipi ynë ka punuar me shumë zell, për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e vetë në zhvillimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe në zhvillimin ekonomik. Prandaj, e po e ndjej që sot po e vëmë gurthemelin jo vetëm për një ndërtesë tepër të domosdoshme, por edhe për shënimin e vazhdueshme të miqësisë sonë”, ka theksuar Jackobson.
Presidentja Jahjaga gjatë fjalës së rastit ka thënë se ka nderin që merr pjesë në përurimin e Ambasadës së Amerikës në Republikën e Kosovës.
“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet.
Bashkë kemi bërë goxha një udhëtim. Qëndruat përkrah nesh në momentet më sfiduese të shekullit të kaluar, dhe bashkërisht nisëm një kapitull të ri të shpresës dhe optimizmit në fillim të këtij shekulli për të kurorëzuar përpjekjet tona për Kosovën shtet të të gjithë qytetarëve të saj shtatë vite më parë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët e Kosovës gjetën mbështetjen dhe besimin për realizimin e vizionit tonë për liri, pavarësi e demokraci. Përkundër shumë vështirësive, vullneti ynë i përbashkët triumfoi ndaj të keqes dhe sot si dy popuj që ndajnë vlerat fundamentale dhe idealet e demokracisë shënojmë edhe një fillim të ri – atë të vendosjes së adresës tuaj permanente si simbol i qëndrueshmërisë”, ka thënë Jahjaga.
Ndërtimi i saj do të bëhet në hapësirën prej 5 hektarësh në lagjen “Arbëria” në kryeqytet, tokë kjo që i është dhënë Ambasadës në shfrytëzim për 99 vjet. Objekti i Ambasadës amerikane do të kushtojë 250 milion euro. Ndërkaq në të do të punësohen 700 punëtorë.
