Jacobson:Presidentja Jahjaga nuk preket deri në 2016
Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë,Tracey Ann Jacobson,thotë se protestat para rektoratit kanë pasur prapavijë politike.Për reformën thotë se nuk është si e ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare,kurse ua rikujton politikanëve se Presidentja ka mandatin deri në 2016 dhe me atë post nuk mund të bëhen marrëveshje.Ndërsa pranon të takohet me Albin Kurtin nëse ai i garanton se nuk do shkaktojnë konfrontime.
“Qartazi mendoj se ka pasur prapavijë politike. Çka do që ndodh në këtë vit zgjedhor mendoj se do të përdoret nga një forcë ose tjetër për të dhënë deklarata politike apo për të fituar poen politik”, tha ambasadorja Jakobson, në një intervistë për Klan Kosova, duke folur për protestat para rektoratit të UP-së.
Duke folur për zgjedhjet, ambasadorja Jakobson tha se ato duhet të zhvillohen kur të merren vesh spektri politik vendor. Por ajo shfaqi keqardhje se ato do të mbahen pa reformë.“Nuk është reforma që bashkësia ndërkombëtare e ka kërkuar, por reforma që votuesit kosovarë e meritojnë. Por tashmë ka kaluar koha kur mund të bëhet ajo”, tha ajo.
Zgjedhjet e fundit lokale, sipas Jakobson, japin shpresë se spektri politik ka arritur një pjekuri për të organizuar zgjedhje fer dhe korrekte.Por ajo tha se partitë politike nuk duhet të llogarisin në postin e Atifete Jahjagës kur të diskutojnë për koalicionet pas zgjedhore.
“Shpesh në media shoh idenë se koalicioni do të jetë me një udhëheqës si kryeministër e tjetri president. Ata harrojnë faktin se presidentja e ka mandatin deri në 2016, diçka që e ka konfirmuar edhe gjykata kushtetuese. Nuk besoj se kushtetuesja lë hapësirë që presidentja të lë në gjysmë mandatin që të bëhet pjesë e marrëveshjes”, tha ajo.Pas shënimit të gjashtë vjetorit të shtetësisë, Jakobson, tha se një nga pikat kryesore për Kosovën ka qenë marrëveshja Prishtinë-Beograd e arritur me 19 prill. Atë e përafroj me të premten e mirë në Irlandë.
“Më kujtohet kur kemi pasur të premten e mirë. Kam qenë e punësuar në shtëpinë e bardh atëherë, ka qenë pritje e madhe, atje ende kemi probleme por shikoni sa larg kanë shkuar. Kosova mendoj se mund të ketë të njëjtën ndjenjë të pozitivitetit”, u shpreh ajo.Duke komentuar për marrëdhëniet mes liderëve politik, ajo foli për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.“Nëse Albin Kurti thotë se VV nuk do të angazhohet me konfrontime fizike siç ishte vitin e kaluar, nëse ata publikisht do ta thoshin një gjë të tillë, atëherë nesër do të takohesha me të”, tha Jakobson.Gjatë kësaj interviste ajo tha se Kosova ka nevojë për EULEX-in dhe se shndërrimi i mandatit të FSK-së duhet të bëhet në harmoni me NATO-në. /KlanKosova/
