Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson vlerësoi lartë të arriturat e Kosovës gjatë vitit 2013, me theks të veçantë marrëveshjen e 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për Radio Kosovën ajo tha se Kosova ka fuqi të madhe punëtore të arsimuar, prandaj shpreson se gjatë vitit 2014 do të ketë rritje ekonomike dhe hapje të vendeve të reja punës për të rinjt.
Diplomatja amerikane në Prishtinë, Jacobson e ka vlerësuar vitin 20013, vit të angazhimit dhe të suksesit në Kosovë. Gjatë një interviste për Radio Kosovën ajo e ka cilësuar marrëveshjen e 19 prillit të arritur të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Më të vërtetë më ka lënë shumë mbresa puna dhe përkushtimi i madh këtu në Kosovë, përfshirë edhe ata që kanë diplomuar në SHBA për të dhënë një kontribut në zhvillimin e mëtejmë në Kosovë. Kemi parë gjithë këtë punë të madhe përfshirë edhe në dialogun me Serbinë dhe mendojmë se Marrëveshja e 19 prillit ka qenë një e arritur e jashtëzakonshme. Natyrisht që mbetet edhe shumë punë për tu bërë sa i parkete zbatimit të kësaj marrëveshje por ne po shohim se Kosova ka hyrë në rrugë të drejtë dhe udhëheqësia e Kosovës e ka vënë në pah punën dhe të mirat si dhe përfitimet e qytetarëve të Kosovës në afat të gjatë e jo ato qëllimet afatshkurtra”, tha ajo.
Në këtë intervistë ambasadorja amerikane Jacobson theksoi se Kosova ka potencial të ri të arsimuar, prandaj gjatë vitit 2014 duhet të ketë rritje ekonomike dhe vende të reja pune pikërisht për këta të rinj.
“Mendoj se fuqia punëtore e edukuar dhe arsimuar mirë është burimi më i madh i Kosovës. Përderisa shkojmë drejtë 2014 posaçërisht duke pasur parasysh të arriturat në 2013 shpresojmë se do të shohim rritje ekonomike dhe vende pune pikërisht për këta të rinj dhe ne në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë jemi të gatshëm të vazhdojmë bashkëpunimin dhe të punojmë në këtë drejtim”, tha ajo.
Gjatë kësaj interviste ambasadorja Jacobson vlerësoi edhe përfundimin e zgjedhjeve lokale me sukses, të zhvilluara në mënyrë demokratike dhe të lira. Përveç të tjerash ajo ka folur edhe për përshtypjet e saj për Kosovën, për njerëzit dhe kulturën.