Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, ka deklaruar sot se procesi zgjedhor për Kosovën është i rëndësishëm. Jacobson i ka bërë këto komente gjatë vizitës që i bëri një vendvotimi në shkollën fillore ”Faik Konica” në Prishtinë.
“Është proces i rëndësishëm. Kosova bëri një punë të mirë më 3 nëntor, njësoj siç ndodhi edhe në votimet e 17 nëntor në Mitrovicën veriore. Kështu që është e rëndësishme që ta shfrytëzojmë këtë dinamikë, në mënyrë që votuesit të dalin edhe në rrethin e dytë dhe të votojnë, kurse partitë politike të sigurohen që e gjithë puna të jetë në harmoni me ligjin. Ndërkaq policia dhe prokurorët të tregohen të gatshëm të reagojnë ndaj të gjitha parregullsive, sikurse edhe mediat që të raportojnë drejt”, deklaroi Jacobson, transmeton RTK.
Ajo tha se nga ambasada Amerikane do të jenë dy ekipe që do të vizitojnë qendrat e votimit edhe në veri të Mitrovicës, kurse ajo vetë do të ketë një agjendë të ngjeshur me vizita nëpër qendra të ndryshme votimi nëpër Kosovë.
“Kam kënaqësinë që unë mund të luaj rolin tim, duke qenë vëzhguese sot. Sapo ka filluar dita dhe është ende herët, por unë planifikoj të udhëtoj nëpër komuna të ndryshme dhe të vizitoj qendrat e votimit. Njësoj do të veprojnë edhe njerëz tjerë nga stafi i Ambasadës Amerikane si dhe ata të vendeve evropiane, ekipe vendase e ndërkombëtare”, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracy Jacobson.