Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 24-të në të cilën ka miratuar dokumente dhe vendime të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Dokumenti i parë që mori miratimin në mbledhjen e sotme ishte Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së financimit “Projekti emergjent i Kosovës për COVID-19 – financim shtesë” në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. Me synim të adresimit të krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka negociuar dhe arritur marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim. Përmes saj është siguruar financim shtesë me vlerë 15 milionë euro. Këto mjete financiare do të përdoren në mbështetje për prokurim dhe distribuim të vaksinave kundër COVID-19 sikurse edhe për sigurimin e barnave esenciale kundër pandemisë.
Qeveria miratoi gjithashtu Planin e Veprimit për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II). Ky dokument përcakton veprimet e reformave për zbatim të fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës për procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në BE. Këto prioritete shërbejnë në përmbushjen e detyrimeve të parapara edhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Prioritetet e ERA II janë negociuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komisioni Evropian dhe janë lansuar nga Kryeministri dhe Komisioneri për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerimit. Ato do të zbatohen përmes këtij plani dyvjeçar të veprimit.
Në mbledhjen e sotme e në përputhje me Programin e Qeverisë, Qeveria ka miratuar Strategjinë për Sundimin e Ligjit 2021-2026. Sektori i sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës ballafaqohet me sfida të ndryshme dhe kjo ka ndikuar në besimin e ultë të opinionit publik në institucionet e Republikës së Kosovës. Për këtë shkak, Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, institucionet tjera dhe me shoqërinë civile, ka lansuar Rishikimin Funksional të sektorit të sundimit të ligjit. Gjatë këtij rishikimi janë identifikuar të metat në sistemin gjyqësor, drejtësinë penale, qasjen në drejtësi dhe në shërbimet jo-gjyqësore dhe antikorrupsion. Strategjia e miratuar sot është afatizuar në pesë vite dhe do të fillojë nga mesi i këtij viti deri në mesin e vitit 2026.
Më tej Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar katër vendime për ndarjen e mjeteve për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike:
1. 5,000,000.00 euro (pesë milionë euro) janë ndarë për subvencionimin e policave kufitare në zbatim të vendimit qeveritar për Pakon e Ringjalljes Ekonomike, masa 4.5 “Mbështetja e Mërgatës”. Polica kufitare e subvencionuar nga Qeveria ka vlefshmëri një muaj. Pagesa e primit të polices së sigurimit do të zbatohet deri më datën 31.12.2021.
2. 3,000,000.00 euro (tre milionë euro) janë ndarë për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore në zbatim të vendimit për Pakon e Ringjalljes Ekonomike “Mbështetje bizneseve për qasje në financim”. Përmes kësaj mase, Qeveria do të subvencionojë tarifat e garancisë së Fondit për Garanci Kreditore, çka mundëson garantimin e rreth 86 milionë euro kredi shtesë për biznese.
3. 17,000,000.00 euro (shtatëmbëdhjetë milionë euro) janë ndarë për pagesat e shtesave për përfituesit e skemave të ndihmës sociale dhe pensionale në periudhën gusht-dhjetor 2021, sipas Pakos së Ringjalljes Ekonomike, përkatësisht masës 3.2 për mbështetje për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale. Kjo masë parasheh 30% pagesë shtesë mbi shumën mujore për përfituesit e skemave të ndihmës sociale dhe pagesë shtesë për përfituesit e skemave pensionale që marrin më pak se 100 euro, në mënyrë që të arrijnë shumën prej 100 euro në muaj.
4. 5,000,000.00 euro (pesë milionë euro) janë ndarë për zbatim të Pakos së Ringjalljes Ekonomike në masën për mbështetje për kulturë dhe sport.
Qeveria sot ka emëruar Komisionin Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politik, me mandat dy (2) vjeçar, në këtë përbërje:
1.1. Fadil Bunjaku, Ministria e Drejtësisë;
1.2. Klit Shala, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve;
1.3. Isak Shabani, Ministria e Shëndetësisë;
1.4. Hydajet Hyseni-Kaloshi, Kuvendi i Kosovës, komisioni përkatës;
1.5. Berat Luzha, përfaqësues i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës;
1.6. Mazllum Baraliu, përfaqësues nga Shoqata e Juristëve të Kosovës.
Qeveria poashtu ka emëruar Komisionin Shtetëror për Rini. Ky komision është mekanizëm Koordinues ndërinstitucional dhe është përgjegjës për koordinimin dhe zhvillimin e dokumenteve strategjike përmes harmonizimit të dokumenteve strategjike, përcaktimin e prioriteteve strategjike në programin e Qeverisë, prioritetizimin e masave dhe programeve sektoriale dhe në vendimmarrjen e çështjeve të rëndësishme për rininë e Republikës së Kosovës. Qëllimi i tij është forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen dhe fuqizimin e rinisë dhe adresimi i sfidave të vazhdueshme me të cilat rinia ballafaqohet në të gjithë sektorët e qeverisjes qendrore përmes hartimit të politikave horizontale.
Me një vendim të aprovuar sot nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme i lejohet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që mjetet në vlerë prej 247 mijë eurove të ndara nga Fondi i ringjalljes ekonomike, t’i shpenzojë për blerjen e veprave vizuale dhe audiovizuele të artit nga artistët vendorë. Blerja e këtyre veprave të artit nga Ministria duhet të bëhet përmes thirrjes publike për blerjen e veprave. Një juri profesionale e themeluar nga Ministria do të bëjë vlerësimin dhe përzgjedhjen e veprave artistike për blerje. Veprat e përzgjedhura për blerje do të ekspozohen në ambientet e institucioneve të kulturës, siç është Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Galeria Kombëtare e Kosovës. Një gjë e tillë po bëhet për herë të parë dhe qëllimi i këtij vendimi është që përmes tij të njohim, përkrahim dhe motivojmë artistët dhe të shtyjmë para krijimtarinë kulturo-artistike në vend.
Miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme e ka marrë edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Statusin e Forcave (SOFA) në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Polonisë. Marrëveshja është në vazhdën e ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë ndërvepruese me vendet e NATO-s, duke marrë në konsideratë raportet bilaterale në mes të Kosovës dhe vendeve mike. Forca e Sigurisë së Kosovës ka shprehur vullnetin për të qenë pjesë e aktiviteteve ushtarake krah vendeve partnere dhe në këtë kuadër është edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Statusin e Forcave (SOFA) mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Polonisë.
Qeveria ka shqyrtuar edhe Raportin e vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të kuvendeve të komunave për periudhën janar-qershor 2021. Në këtë periudhë, sipas raportit, janë miratuar 1034 akte nga kuvendet komunale, prej të cilave 58 rregullore dhe 976 vendime. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vlerësuar 632 akte, ndërsa 402 janë dërguar në ministritë e linjës. Nga numri i akteve të vlerësuara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, 585 akte janë vlerësuar të ligjshme, ndërsa në rishqyrtim janë kthyer 47 akte, nga të cilat janë rishqyrtuar dhe harmonizuar 30 akte nga kuvendet komunale. 17 akte kanë mbet pa u rishqyrtuar, 1 akt është kundërshtuar përmes Ministrisë së Drejtësisë në gjykatë, 3 akte janë pezulluar pas shpalljes së zgjedhjeve lokale nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhe 13 akte janë brenda afatit ligjor për rishqyrtim nga kuvendet e komunave.
Me propozimin e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë numër 17/38, të datës 30.10.2020 për emërimin e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor, Klinik Universitar të Kosovës. Vendimi ndërron përfaqësuesin nga spitalet regjionale dhe përfaqësuesin nga Ministria e Shëndetësisë.
Qeveria ka dhënë mendimin e saj për nismën legjislative të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës. Qeveria ka propozuar që krahas 24 Qershorit si Dita Memoriale e komunitetit egjiptian në këtë projektligj të shtohet edhe 26 Korriku si Dita e Policëve të rënë në krye të detyrës.