Me rastin e Ditës Botërore të Shtypit, më 3 maj, Kosovo 2.0, Organizata ÇOHU! dhe Këshilli i Mediave të Shkruara, lancuan raportin “Treguesit e Mediave 2015” .
Fokusi i raportit është perceptimi aktual i gazetarëve në Kosovë në çështjet kryesore lidhur me mediat në Kosovë.
Me rastin e Ditës Botërore të Shtypit, më 3 maj, Kosovo 2.0, Organizata ÇOHU! dhe Këshilli i Mediave të Shkruara, lancuan raportin “Treguesit e Mediave 2015” – fokusi i të cilit është perceptimi aktual i gazetarëve në Kosovë në çështjet kryesore lidhur me mediat në Kosovë.
Objektivi kryesor i studimit ishte të përcaktonte dhe analizonte perceptimin e gazetarëve në Kosovë për lirinë e medias, bazuar në 27 tregues të Këshillit Evropian, “Treguesit për Mediat në një Demokraci” të hartuar në vitin 2008. Këta 27 tregues shërbejnë për të matur dhe vlerësuar lirinë e shprehjes, lirinë e informacionit dhe lirinë e medias në Kosovë.
Për qëllim të studimit janë realizuar 175 intervista me gazetar të mediumeve të ndryshme (përfshi gazetat, televizionet, radiot dhe portalet) në gjithë Kosovën. Prej 175 të anketuarve, 55%ishin meshkuj dhe 45%femra. Kategorizimi i grup moshave zbulon se 59% e të anketuarve ishin nën moshën 35 vjeçare, 34% ishin të moshave 35 deri 54, dhe shtatë % ishin të moshës 55 ose më të vjetër. Përkatësia etnike e të anketuarve, bazuar në mostrën e zgjedhur është 81% shqiptarë të Kosovës, 14% serbë të Kosovës dhe pakicat e tjera janë të përfaqësuar me pesë % .Gjashtë %e të anketuarve kanë mbaruar arsimim të shkollës së mesme, 75% kanë studimet e fakultetit, ndërsa 19% kanë raportuar se kanë nivelin master të kualifikimit.
Analiza është kategorizuar në gjashtë sektorë, duke mbuluar të gjitha fushat e studimit për të marrë informacion të rëndësishëm lidhur me perceptimin e gazetarëve dhe të lirisë së mediave:
1. Perspektiva ligjore dhe zbatueshmëria për lirinë e shprehjes dhe informacionit
2. Mekanizmat vetërregullues të mediave
3. Anshmëria e mediave dhe profesionalizmi
4. Transparenca e institucioneve në lidhje me mediat
5. Ndërhyrja në media
6. Siguria në gazetari
Ky raport ka për qëllim të kapë vëmendjen e hartuesve të politikave të mediave, institucioneve përkatëse shtetërore, pronarëve të mediave dhe profesionistëve, shoqatave dhe organizatave, ekspertëve të mediave dhe publikut të interesuar, me qëllim të zbatimit siç duhet në tërësi të sfidave ligjore, profesionale dhe institucionale në përputhje me treguesit e Këshillit Evropian.
Kosova 2.0, ÇOHU! dhe Këshilli i Mediave të Shkruara kanë kryer këtë studim gjithëpërfshirës për kushtet e mediave, në përputhje me treguesit e Këshillit Evropian për mediat në demokraci. Kjo iniciativë do të krijojë dhe të ndihmojë për të zhvilluar vazhdimisht një model për një analizë të rregullt vjetore të situatës së përgjithshme të mediave në Kosovë. Aktivitete të ndryshme do të kryhen në mënyrë që të ndihmojnë identifikimin e çështjeve problematike dhe pengesave të mundshme, duke e bërë të mundshme për sipërmarrësit sektorin e medias dhe aktorët e tjerë relevantë që të kryejnë masat e nevojshme për t’i adresuar dhe zgjidhur këto çështje.
Gjetjet kryesore:
1. Perspektiva ligjore dhe zbatueshmëria për lirinë e shprehjes dhe informacionit
• Shumica e gazetarëve besojnë se Kushtetuta e Kosovës garanton lirinë e shprehjes. 52% kanë qenë krejtësisht të sigurt dhe 26% besonin se liria e shprehjes është e garantuar “deri në një nivel.”
• Gazetarët janë të mendimit se garancitë ligjore në lidhje me lirinë e shprehjes nuk janë duke u zbatuar në një nivel të dëshirueshëm.
• Të anketuarit e angazhuar në ekonomi priren të besojnë se garancitë për sa i përket lirisë së shprehjes janë zbatuar më shumë se ato ku fusha e ekspertizës është drejtësia.
• Arsyet kryesore te të anketuarit që ishin skeptik në lidhje me zbatimin e garancive ligjore për lirinë e shprehjes ishin “ndërhyrje nga individë të përfshirë në politikë” (22%), “ndërhyrje nga pronarët e medias” (14%) dhe “ndërhyrje nga qeveria” (13%).
• 74% besojnë se liria e informacionit ose është e garantuar plotësisht (46%), ose e garantuar për një nivel (28%) me Kushtetutën e Kosovës.
• Të anketuarit që punojnë në radio dhe televizione priren të besojnë se garancitë ligjore në lidhje me lirinë e informacionit nuk janë zbatuar plotësisht. Ata që punojnë në gazeta dhe portale kanë më shumë gjasa të besojnë se garanci të tilla janë zbatuar në të vërtetë.
• Ndikimi i mediave përgjithësisht buron nga “individët e përfshirë në politikë” (18%), “pronarët e mediave” (12%) dhe ” qeveria” (12%).
2. Mekanizmat vetërregullues të mediave
• Mbi 65% e të anketuarve besojnë gjerësisht se mekanizmat rregullator të mediave (Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës) funksionojnë në mënyrë efektive dhe pa anësi.
• Për vendimet e marra nga Komisioni i Pavarur për Media, mbi 40% e të anketuarve besojnë se ato janë marrë parasysh nga institucionet e drejtësisë. Në mënyrë të ngjashme, për vendimet e marra nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, mbi 34% e të anketuarve besojnë se edhe ato janë marrë parasysh nga këto institucione.
• Të anketuarit të cilët operojnë në TV dhe media janë më të bindur se vendimet e marra nga mekanizmat vetë-rregulluese (IMC dhe PCK) janë marrë parasysh nga organet/institucionet e drejtësisë.
3. Anshmëria e mediave dhe profesionalizmi
• 49% e të anketuarve pohojnë se ka media të paanshme nga aspekti i editorialeve, ndërsa 38% pohojnë se nuk ka media të paanshme.
• Nga perspektiva e politikave editoriale dhe operacioneve të përditshme, të anketuarit në përgjithësi besojnë se transmetuesi publik nuk është i pavarur apo i paanshëm nga ndërhyrjet politike. Në total 55% e tyre pohojnë se transmetuesi nuk është “aspak” i pavarur dhe 20% pohojnë se është “jo i pavarur, deri në një nivel të caktuar.”
• Saktësisht 60% e të anketuarve pohojnë se ka një kod të etikës së mediave në funksion, ndërsa 15% pohojnë të kundërtën.
• Të anketuarit që operojnë në gazeta janë më të sigurt se kodi i etikës është aplikuar në mënyrë të plotë.
• Niveli i profesionalizmit në mediat e Kosovës është parë si mesatar.
4. Transparenca e institucioneve në lidhje me mediat
• Vetëm “policia” dhe “komunat” perceptohen disi si të hapura ndaj mediave. Institucionet tjera janë afër mesatares ose nën mesatare me institucionin më së paku të hapur që është “EULEX”.
• Institucioni më i hapur në mënyrë të drejtë dhe të barabartë është “Policia” (52%), pas saj vjen “Kuvendi i Kosovës” (40%), “Presidenca” (39%) dhe “Komunat” (38%).
5. Ndërhyrja në media
• 16% besojnë se legjislacioni lejon censurën shtetërore, 34% nuk besojnë kështu, ndërsa 49% nuk kishin asnjë informacion mbi këtë temë.
• Autoritetet shtetërore nuk janë të përqendruara kryesisht në censurimin e medias.
• Të anketuarit nga rajoni i “Gjilanit” dhe “Prizrenit” janë më pak të shqetësuar me censurën e mediave nga ana e shtetit, kurse ata nga “Ferizaj”, “Mitrovica” dhe “Prishtina” tregojnë më shumë shqetësim.
• Në një shkallë nga 1 në 10, me 1 “e parrezikuar fare” dhe 10 “krejtësisht e rrezikuar”, vlerësimi mesatar i të anketuarve mbi rrezikimin e lirisë së shprehjes qëndron në 6,59.
• Ata që bëjnë gazetari në fushën e “drejtësisë” pohojnë më së shumti se liria e shprehjes është e rrezikuar në Kosovë, ndërsa ata që trajtojnë “çështjet sociale” kanë një mendim pak më të relaksuar për këtë çështje.
• “Individët nga politika” (32%), “individët nga bizneset” (18%), “qeveria” (16%) dhe “pronarët e mediave” (15%) janë mbajtur përgjegjës më së shumti për rrezikimin e medias.
• Të anketuarit besojnë fuqimisht se ka parti politike apo individë me lidhje të partive politike që drejtpërdrejt ose tërthorazi drejtojnë mediat. Mbi 82 për qind e tyre besojnë kështu për partitë politike, ndërsa 86 për qind e tyre besojnë kështu për individët me lidhje me partitë politike.
6. Siguria në gazetari
• 46% e të anketuarve besojnë se burimet e tyre të informacionit janë të mbrojtura “në një nivel,” me vetëm 16% që deklarojnë se janë “krejtësisht” të mbrojtura me legjislacionin aktual.
• 56% e të anketuarve pohojnë se masat ligjore në lidhje me mbrojtjen e burimeve të gazetarëve janë ekzekutuar vetëm në “një nivel.”
• Kushtet e përgjithshme brenda të cilit gazetarët aktualisht kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme konsiderohen si mbi mesatare.
• Shqiptarët e Kosovës përgjithësisht vlerësojnë situatën si më të keqe (4,42), në krahasim me serbët e Kosovës që kanë një mendim mjaft pozitiv (1,42) lidhur me kushtet e përgjithshme në të cilat gazetarët kryejnë punën e tyre të përditshme.
• Mbi 62% e të anketuarve pohojnë se ata janë të kërcënuar me dhunë “deri në një farë niveli,” dhe 22% thonë se ata janë “plotësisht” të kërcënuar.
• 14% nga të anketuarit pohojnë se mbrojtja e policisë është ofruar “plotësisht”, 56% e të anketuarve pohojnë se ajo është ofruar “deri në një nivel.”
• Të anketuarit besojnë se rastet e krimit ose janë trajtuar “plotësisht” (7%) në mënyrë adekuate, ose “deri në një nivel” (46%).
• 45% e të anketuarve nuk kanë kontrata të rregullta të punësimit, 33% pohojnë se kanë, dhe 22% nuk e kanë këtë informacion.
Përmbyllje
Liria e shprehjes dhe informacionit njihet nga shumica e gazetarëve të intervistuar, edhe pse njohuritë më të detajuara i kanë të kufizuara. Ata nuk janë në dijeni të pikëpamjes ligjore dhe zbatueshmërisë së lirisë së medias, të garantuar me Kushtetutën e Kosovës. Shpesh, liria e të shprehurit dhe informacionit keqinterpretohet dhe bie pre e ndikimit politik.
Gazetarët s’janë krejt në dijeni të censurës shtetërore mbi mediat, pasi 49% e tyre thonë se nuk kanë informacion për këtë temë. Besimi i përgjithshëm është se shteti nuk përqendrohet kryesisht në censurimin e medias, ndonëse gazetarët shfaqin shqetësim. Sipas tyre, liria e shprehjes është “e rrezikuar” deri në një nivel shqetësues.
Burimet e informacionit mbrohen gjerësisht, ndërsa masat ligjore për mbrojtjen e gazetarëve nuk zbatohen në nivele të dëshirueshme. Gazetarët herë pas here kërcënohen gjatë aktiviteteve të tyre profesionale me dhunë fizike, porse pohojnë se mbrojtja policore është dukshëm e efektshme për trajtimin e çështjeve të tilla.
Mekanizmat vetërregullues, pra Komisioni i Pavarur për Media dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, funksionojë me efektshmëri dhe pa njëanshmëri. Prodhimi i tyre kundrohet me kujdes dhe seriozitet nga të gjitha institucionet. Gazetarët, kur u sigurohet liria, u treguan të zellshëm t’i raportonin rezultatet pozitive kur përfshihen këta mekanizma. Institucionet më miqësore ndaj mediave janë policia dhe komunat, ndërsa EULEX-i perceptohet si më së paku miqësor.
Kur është fjala te njëanshmëria e mediave, afro gjysma e të anketuarve besojnë se ka media të paanshme në Kosovë, ndërsa 38%besojnë se nuk ka media të paanshme. Ky dallim në opinion tregon se mediat veprojnë në mënyra të ndryshme. Ngjashëm, kishte pohime lidhur me transmetuesin publik të Kosovës, ku shumica e të anketuarve mendonin se ishte i ndikuar politikisht.
Në thelb, profesioni i gazetarëve është e vështirë të ushtrohet në Kosovë, duke pasur parasysh problemet me kontrata pune, ndikimin e drejtpërdrejtë editorial nga pronarët dhe individët e përfshirë politikisht, kufizimet në lirinë e shprehjes dhe nivelet shqetësuese të censurës shtetërore.