Ja rezultatet e konkursit letrar “Lulëkuqet e Prillit” 2019

Ja rezultatet e konkursit letrar “Lulëkuqet e Prillit” 2019

Njëri nga anëtarët e komisionit vlerësues, Sinan Sadiku ka bërë publike raportin vlerësues për krijimet e konkursit letrar “Lulëkuqet e Prillit” 2019.

Ja raporti i plotë:

Të caktuar nga Drejtoria Komunale e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Komunës së Dardanës për t’i vlerësuar punimet e arritura në konkursin letrar në kuadër të aktivitetit shumëkulturor tradicional “Lulëkuqet e Prillit”, pasi që i lexuam me kujdes të gjitha krijimet konkurruese, vendosëm që ta paraqesim këtë raport.

1. Në konkursin për poezi kanë arritur 36 krijime, ndërsa në atë për prozën 13 sosh. Anëtarët e Komisionit e kishin nga një kopje të të gjitha krijimeve dhe i kanë vlerësuar veçmas e i kanë diskutuar edhe bashkërisht ato.

2. Sa u përket krijimeve poetike mund të thuhet se kishte të tilla që shquheshin për pjekurinë krijuese letrare, por edhe të tilla që veçoheshin si përpjekje premtuese të konkurrentëve. Për ndonjë nuancë vlerësuese u përcaktuam që me çmime t’i vlerësojmë këto poezi:

vendi i parë i ndahet poezisë “Ditari B” me shifrën “Piktura B 89”,
vendi i dytë poezisë “Alter ego” me shifrën “DARD(H)ANIA”,
vendi i tretë poezisë “Mirë u pafshim fati im” me shifrën “Shpend Sokoli i Sokol Shpendit”.

3. Sivjet kishim një konkurrencë më të denjë në fushën e prozës. Ishin paraqitur 13 proza, të cilat edhe në planin cilësor artistik shënonin një nivel në rritje. Kështu, komisioni vlerësues vendosi që të shpërblejë me çmime këto proza:

vendi i parë i ndahet prozës “Pritja e valëve të zërit” me shifrën “Doruntina”,
vendi i dytë prozës “Mysafiri nga Lidhja e Shkrimtarëve” me shifrën “Franc Kafka”, 
vendi i tretë prozës “Varri i Dervishit” me shifrën “Kali i qyqes”.

4. Juria, duke marrë parasysh se kishte edhe krijime të tjera me vlerë, i propozon redaksisë së revistës letrare “Nositi” që t’i marrë për botim poezitë:

“Varri i pagjetur”, “Letër Ana Frankut”, “Diversi”, “Fletët e kësaj vjeshte”, “Statuja”, “Metamorfoza eklips” dhe “Hiri ëndrrave”.

Nga tregimet juria propozon që të botohen edhe:

“Zëri i pasqyrës”, “Lira e nënës”, “Pavdekësia” dhe “Dilema”.

Komisioni vlerësues:
Sinan Sadiku
Hysen Matoshi
Shpresa Ajvazi – Shehu

KOMENTE