Ja pse kjo anëtare e Kuvendit votoi kundër ndryshimeve statutare

Ja pse kjo anëtare e Kuvendit votoi kundër ndryshimeve statutare

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar në seancën e sotme Statutin e ri të Komunës, për të cilat ndryshime e plotësime, që ishin bërë paraprakisht nga Komisioni Komunal, votuan 29 anëtarë të Kuvendit e 6 të tjerë ishin kundër, që të gjithë këta anëtarë të Vetëvendosjes.

Njëra nga to, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni në fjalën e saj tregoi arsyen pse ajo  ishte kundër. “Unë jam kundër këtyre ndryshimeve statutore, pavarësisht se e di nevojën e qytetarëve për Drejtorinë e Inspeksionit dhe Drejtorinë për Rini, Kulturë dhe Sport. Jam kundër, sepse e di që edhe po ti kishim këto dy drejtori në këtë mandat të juajin (kryetarit të Komunës), me njerëzit të cilët ju do ti vinit në krye, do të vazhdonte avazi i vjetër. Unë këtë e konsiderojë padrejtësi ndaj qytetarëve, prandaj nuk dua të bëhem pjesë e kësaj padrejtësia që po ushtrohet ndaj tyre”, ka tërën ndër tjera anëtarja e Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

2LONLINE sjellë në vazhdim fjalë e plotë të Arbëreshë Kryeziu – Hyseni.

Në seancën e njëmbëdhjetë të Kuvendit Komunal të Gjilanit, të mbajtur më 6 nëntor 2014, njëra nga pikat e rendit të ditës ishte edhe Statuti për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Komunës së GJILANIT. Pikërisht në këtë kohë, po rekomandohej që Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport, kthehej në njësi që do të hynin në kuadër të zyrës së kryetarit, ndërsa Drejtoria e Inspeksionit, të shkrihej në kuadër të Drejtorisë për Urbanizëm.

Pikërisht në këtë seancë, kryetari Lutfi Haziri ka thënë se sa i përket drejtorisë së Inspeksionit,si pasojë e mungesës së efikasitetit dhe mungesës së mekanizmave për të zbatuar detyrat, janë obliguar të gjejnë një rrugë me efikase, e cila krijon mundësinë që inspeksioni ta kryejë detyrën e vet. Dua ta citojë në këtë pjesë kryetarin Lutfi Haziri, i cili ka thënë : “Kemi deshtë ta largojmë obligimin nga një autoritet, nga një drejtor dhe për ti bartë inspektorët sipas detyrës në sektorët e veta.

Ndërtimet të shkojnë në urbanizëm si sektor i vecantë dhe drejtori i urbanizmit e ka përgjegjësinë në të njejtën kohë”. Me një fjalë u kërkua shkrirja e Drejtorisë së Inspeksionit në atë për Urbanizëm. Këtë e kërkuat më 6 nëntor 2014, një ditë pas arrestimit të drejtorit të atëhershëm të Inspeksionit, ndaj të cilit pati akuza të shumta për keqpërdorime.

Përgjegjësitë e Inspeksionit ia bartët drejtorit të Urbanizmit, të cilin pak ditë më parë e pezulluat nga puna, sepse ndaj tij është ngritur aktakuzë për krime të rënda. E tani, po kërkoni që ta riktheni Drejtorinë e Inspeksionit, pse?!

Për ta rritur mundësinë e manipulimeve dhe keqpërdorimeve? Për ti dhënë rastin edhe dikujt tjetër të akuzohet për krime në të ardhmen? Sepse për çfarëdo arsyeje tjetër mund ta bësh këtë, por asnjëherë jo për të rritur efikasitetin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Gjilanit. Kërkuat kthimin e Drejtorisë për Rini, Kulturë dhe Sport, në njësi, duke e lënë kështu të gjymtuar zhvillimin e rinisë, kulturës dhe sportit në komunën tonë.

Këtë e bëre me arsyetimin e ndarjes së buxhetit të qartë për secilën kategori, në mënyrë që të arrijnë ti vet menaxhojnë politikat, mjetet dhe të pavarësohen nga kërkesat çdo mujore për ti ndarë subvencione. Ia morët qytetarëve të Gjilanit, dy drejtori shumë të rëndësishme, sepse nuk mund ta mohojmë faktin se qytetari i komunës tonë ka nevojë për shërbimet që i ofronin këto dy drejtori, njëjtë sikurse nuk mund ta mohojmë faktin se këto shërbime nuk janë ofruar 100% nga destinacionet e reja.

Po e marrë vetëm një shembull këtu: Ne Gjilan duhani pihet kudo, pihet edhe nga punëtorët e administratës tuaj, madje fatkeqësisht, edhe në qendrat e kujdesit mjekësor, asnjëherë nuk ndodhë të mos e nuhasësh kundërmimin e duhanit, e të mos rastisë ta shohësh ndonjë tabak të mbushur me cigare. Ju, kryetar Haziri, në seancën e dytë të kësaj legjislature të mbajtur më 19 janar 2018, para nesh këtu në Kuvend, por edhe para qytetarëve, e pranuat që përvoja nga qeverisja e mandatit të kaluar ju ka dhënë arsye të kërkoni ndryshimet e reja statutore.

Ju kryetar, keni thënë se iniciativa e para katër viteve ka qenë e paqëlluar dhe se duhet marrë mësim nga ai gabim duke theksuar se pavarësimi i njësive ka qenë i dështuar. Por, asnjëherë nuk raportuat për ato dështime, asnjëherë nuk dhatë llogari per to. Kryetar, unë jam shumë e sigurt që këtë gjë e keni ditur mjaft mirë në 2014, njëjtë siç po e dini edhe tani. Nëse atëherë ka ekzistuar një komision, besoje që qartë kanë mundur ta shohin gabimin që po bënit, por kanë zgjedhur të heshtin, duke thënë se sa i përket drejtorive është përgjegjësi e kryetarit të komunës se si funksionon shërbimi civil.

Duket qartë, që edhe tani kanë zgjedhur të heshtin, duke të mbështetur në këtë drejtim. Jam e vetëdijshme gjithashtu që keni dhënë shumë premtime gjatë fushatës, e ato duhet mi përmbush disi. Por ama, më vjenë keq, por mendojë se këtu jemi për të bërë zgjidhje për qytetarët tanë pa dallime politike dhe jo të punojmë për ata që punësimin e arrijnë vetëm me anë të librezave të anëtarësisë.

Prandaj, unë jam kundër këtyre ndryshimeve statutore, pavarësisht se e di nevojën e qytetarëve për Drejtorinë e Inspeksionit dhe Drejtorinë për Rini, Kulturë dhe Sport. Jam kundër, sepse e di që edhe po ti kishim këto dy drejtori në këtë mandat të juajin, me njerëzit të cilët ju do ti vinit në krye, do të vazhdonte avazi i vjetër. Unë këtë e konsiderojë padrejtësi ndaj qytetarëve, prandaj nuk dua të bëhem pjesë e kësaj padrejtësia që po ushtrohet ndaj tyre.

KOMENTE