Ja përfitimet që vijnë nga dëgjimi i muzikës!
Sa herë që ju dëgjoni muzikë, jo vetëm që gjendja juaj emocionale ndryshon, por shëndeti juaj reagon për mirë ndaj çdo kënge që ju pëlqen shumë. Po ashtu, leksionet në muzikë rrisin inteligjencën
Nëse ju pëlqen shumë të dëgjoni muzikë, atëherë jeni në shoqëri të mirë. Çarls Darvini dikur tha: “Nëse do të jetoja edhe një herë, do ta bëja rregull që të lexoja poezi dhe të dëgjoja muzikë të paktën një herë në javë”. Albert Ajnshtajni ka deklaruar, “nëse nuk do të isha një fizikan, do të isha bërë një muzikant”. Ndërsa Xhimi Hendriks e quajti muzikën, “fenë” e tij.
Kërkimet tregojnë se të dëgjuarit muzikë, përmirëson shëndetin tonë mendor dhe nxit atë fizik në mënyra që janë shumë befasuese. Po ashtu, leksionet në muzikë rrisin inteligjencën. Zbuloni efektet e pabesueshme të muzikës te njeriu.
Muzika na bën më të lumtur
Kërkimet tregojnë se kur dëgjoni muzikën që preferoni, truri juaj çliron dopaminë, një neurotransmetues që ju bën të ndiheni mirë. Sa herë që dëgjoni muzikë, aq më e lartë bëhet sasia e çliruar e dopaminës, gjë që i bën dëgjuesit të ndihen të lumtur, të ekzaltuar ose të gëzuar.
Muzika shton performancën në vrapim
Vrapuesit që dëgjojnë muzikë motivuese, priren të vrapojnë më shpejt sesa vrapuesit e tjerë që dëgjojnë muzikë relaksuese, apo nuk dëgjojnë muzikë fare. Nëse doni të rrisni performancën tuaj në vrapim, merrni me vete muzikën e preferuar.
Muzika ul stresin dhe përmirëson shëndetin
Sa herë që dëgjoni muzikën që preferoni, niveli juaj i stresit ulet. Ky është një zbulim i rëndësishëm, pasi 60 për qind e të gjitha sëmundjeve tona, shkaktohen nga stresi. Një studim tregoi se njerëzit që prodhonin muzikë dhe këndonin, kishin sistem imunitar më të fortë sesa ata që thjesht dëgjonin muzikë.
Muzika ndihmon gjumin
Në një kohë kur shumë njerëz vuajnë nga pagjumësia, një studim ka zbuluar se ata që dëgjojnë muzikë klasike për 45 minuta përpara gjumit, flenë më mirë sesa të tjerët.
Muzika pakëson depresionin
Kudo në botë, 350 milionë njerëz vuajnë nga stresi. Kërkimet në Gjermani kanë zbuluar se muzika mund të bëjë mirë për pacientët me simptoma depresive, në varësi të llojit të muzikës. Tingujt meditues dhe ata klasikë, në varësi të personit, sjellin gjendje të ndryshme të humorit, por mbi të gjitha, pakësojnë depresionin.
Muzika ju ndihmon të hani më pak
Kërkuesit nga Universiteti i Xhorxhias kanë zbuluar se konsumi i ushqimit nën tingujt e muzikës, i bën njerëzit të konsumojnë më pak kalori dhe të shijojnë më tepër vaktet që hanë. Nëse po kërkoni për mënyra që do t’ju ulin oreksin, muzika është e duhura.
Muzika përmirëson humorin në timon
Një studim holandez zbuloi se dëgjimi i muzikës, mund të ndikojë pozitivisht humorin tuaj, ndërsa ngisni makinën, gjë që mund të çojë në sjellje më të kujdesshme se sa ta ngasësh makinën pa muzikë. Herën tjetër që do të mbeteni në trafik, mos hezitoni të ndizni radion.
Muzika forcon të mësuarit dhe kujtesën
Kërkuesit zbuluan se muzika mund t’ju ndihmojë të mësoni dhe të rikujtoni informacionin më mirë, por kjo varet se sa shumë e pëlqeni muzikën dhe nëse jeni apo jo muzikantë. Ata që janë muzikantë, mësonin më mirë me muzikë neutrale dhe e anasjella.
Muzika relakson pacientët para/pas operacionit
Kërkuesit zbuluan se dëgjimi i muzikës relaksuese përpara operacionit, pakëson ankthin. Në fakt, është më efektive sesa ilaçet që shpesh përdoren për t’u sjellë gjumë pacientëve, e që kanë shpesh pasoja anësore.
Studimet e mëparshme kanë treguar se dëgjimi i muzikës në shtrat pas një operacioni, sjell relaks. Në shkallë globale bëhen 234 milionë operacione në vit, ndaj muzika është një ilaç i mirë.
Muzika pakëson dhimbjen
Kërkuesit nga Filadelfia zbuluan se terapia e muzikës dhe muzika e regjistruar më parë, pakësojnë dhimbjen më shumë se trajtimet standarde te pacientët me kancer. Studime të tjera kanë zbuluar se muzika mund të ulë dhimbjen te pacientët nën kujdes intensiv.
Muzika përmirëson gjendjen pas një infarkti
Universiteti i Helsinkit ka treguar se pacientët që kanë pësuar infarkt, të cilët dëgjonin muzikë për dy orë në ditë, e merrnin veten më shpejt në funksionin konjitiv, krahasuar me ata që nuk dëgjonin muzikë.
Muzika rrit inteligjencën verbale
Pas vetëm një muaji leksionesh muzikore, një studim i Universitetit të Nju Jorkut ka treguar se 90 për qind e fëmijëve nga moshat 4 deri në 6 vjeç, kanë një rritje të inteligjencës verbale. Nuk ka rëndësi nëse jeni të rritur apo fëmijë, nëse dëshironi të nxisni aftësitë verbale, përpiquni të merrni leksione muzike.
