Ja cili ishte arsyetimi i jurisë për ndarjen e shpërblimit “Beqir Musliu”, shkrimtarit Ramadan Musliu

Ja cili ishte arsyetimi i jurisë për ndarjen e shpërblimit “Beqir Musliu”, shkrimtarit Ramadan Musliu

Ditë më parë, në Gjilan, në Zyrën e kryetarit të Komunës, z. Lutfi Haziri, është shpallur fituesi i dhjetë i Çmimit letrar “Beqir Musliu”, ku doli të jetë shkrimtari nga Begunca e Vitisë, Ramadan Musliu, i cili prej vitesh jeton dhe krijon në Prishtinë.

Para tij, këtë Çmimi, i cili jepet për vlera të mirëfillta letrare si dhe prurje të reja në letërsi e kanë fituar: Ali Podrimja, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Rexhep Qosja, Nehas Sopaj, Ramadan Mehmeti, Anton Nikë Berisha dhe Shaip Beqiri.

Ideus i këtij Çmimi, siç dihet, është Ars Clubi “Beqir Musliu”, një asociacion i shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan, kurse e jep dhe e mbështet financiarisht Komuna e Gjilanit, përkatësisht, Zyra e kryetarit të komunës.

Ceremonia e dhënies së këtij Çmimi, do të organizohet më 24 qershor 2017, ora 17:00, në sallën e KK të Gjilanit, pikërisht në ditën e shkuarjes në amshim të emblemës së modernitetit shqiptar në letërsi, Beqir Musliut.

VENDIMI I JURISË LETRARE PËR DHËNIEN E ÇMIMIT LETRAR “BEQIR MUSLIU”, PËR VITIN 2017

Juria letrare, e emëruar nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, në përbërje, prof dr. Anton Nikë Berisha, kryetar, Sabit Rrustemi, anëtar dhe Xhevat Latifi, anëtar, pas disa konsultave dhe duke vlerësuar një nga një e me kujdes të nominuarit për Çmimin letrar “Beqir Musliu” nëpër vite e, edhe këtë vit, si, Jusuf Buxhovi, Eqrem Basha, Fatos Arapi, Nikollë Spathari, Mexhid Mehmeti, Jonuz Fetahaj, Agim Gjakova, Ramadan Rexhepi, Sabile Keqmezi – Basha e Ramadan Musliu, vendosi me unanimitet që, Çmimi letrar “Beqir Musliu”, që njihet si çmim i vlerave dhe e një karriere të bujshme letrare, këtë vit t’i jepet shkrimtarit dhs studiuesit Ramadan Musliu.

Juria mori për bazë faktin që Ramadan Musliu, përveç se shquhet për vlerën e tij poetike ku është përzgjedhur e përfaqësuar thuaja në të gjitha antologjitë e hartuara në Kosovë e gjetiu, vlerën e madhe të veprave të tija studimore në fushën e letërsisë, ai ka dhënë dhe një kontribut të madh në vlerësimin dhe afirmimin e veprave të shkrimtarit të shquar nga Gjilani, Beqir Musliut, qoftë të atyre veprave të botuara për të gjallë të autorit, po, edhe veprat që u botuan pas vdekjes së tij, përfshirë dhe angazhimin e tij në veprat e embetura në dorëshkrim.

ARSYETIM – PËR NDARJEN E SHPËRBLIMIT BEQIR MUSLIU – 2017 SHKRIMTARIT RAMADAN MUSLIUT

I
Ramadan Musliu (u lind në fshatin Beguncë, komuna e Vitisë, më 31 maj 1954) është ndër shkrimtarët tanë bashkëkohorë të shquar. Veprimtarinë e tij letrare e dëshmoi kryesisht në dy fusha: si poet dhe si studiues i letërsisë, ku dha një ndihmesë të rëndësishme për pasurimin e poezisë sonë dhe të studimit letrar.

Punën letrare Ramadan Musliu e filloi me poezi, që dëshmohet me përmbledhjet Parodia e trupit (Prishtinë 1981), Shqisa e gjashtë (Prishtinë 1985), Pasqyra e të rrëfyerit (Prishtinë 1987), Kënga e sibilave (Tiranë 1996) dhe Në zemrën e gjërave (Prishtinë 2004).

Në fushën e studimeve letrare shquhen veprat e tij: Mbindërtimi poetik (Prishtinë 1990), Konfiguracione narrative (Tiranë 1998), Estetikja e dallueshme (Prishtinë 2005), Ekskurs në letërsinë për fëmijë (Shkup 2010) dhe Tangjenta letrare (Prishtinë 2012).

Më 1997 (në Tiranë) botoi veprën publicistike Vetëripërtëritja e totalitarizmit.

II
Poezia e Ramadan Musliut dallohet për tekstin poetik për shumëçka të veçantë e të pasur. Ajo shpaloset në qenësinë e saj vetëm kur depërtojmë në thellësinë e kuptimit të tekstit, ku mundësia e komunikimit, e zhvillimit të nyjëtimit kuptimor dhe e receptimit, gjë që do të varet nga përmasa e njohjes dhe nga aftësia individuale e lexuesit përkatës. Pra, depërtimi në botën poetike të poezisë së këtij autori lidhet me vetë konceptin bazë të pjesës më të madhe të poezisë së tij – me TRUPIN, që është një metaforë shumëfish funksionale.

Në konceptin poetik Trupi nuk është vetëm një materie e qenësishme gjalluese, po shndërrohet në qenësi të ekzistimit dhe të funksionimit kur, thënë metaforikisht, shpirtërohet nga shqisat. Ato i japin materies së trupit përmasën e qenies dhe me këtë ai fiton mundësinë e ndjeshmërisë, të njohjes, të veprimit, por edhe të pësimit dhe të shkatërrimit. Me ngjizjen e shqisave, trupi bëhet qenie komplekse që provon ekzistencën, që nënkupton vlerën, verifikimin e qenies e të mundësisë së veprimit. Në këtë mënyrë trupi fiton një përmasë të jashtëzakonshme të shprehimësisë së veçorive të shumta. Sa më shumë që zhvillohen shqisat, aq më tepër trupi fisnikërohet dhe bëhet i vlershëm.

Ramadan Musliu me qëllim nuk e ka vështruar trupin në formën e shumësit, për ta parë në dritën e shumësisë së njerëzve, të kolektivitetit, po e ka marrë trupin si një qenie më vete për ta shprehur në mënyrë sa më të thellë e më të plotë. Në fundin e mbramë koncepti poetik i trupit te ky krijues nënkupton njeriun, cili do qoftë dhe kushdo qoftë ai.

Duke u nisur dhe duke e zhvilluar një koncept të këtillë poetik rrëfimi për trupin në qenësi shpreh rrëfimin për njeriun, për botën dhe për problemet që e përcjellin atë, qoftë në rrafshin nacional, qoftë në rrafshin gjithë njerëzor. Ky rrëfim te Musliu cilësohet me disa tipare dhe përshkohet nga një ndjenjë e thellë e tragjikes, me harrimin, me kobin, me dhembjen, me mëkatin, me zjarrin, me acarin etj.
Rrëfimi i shtjelluar mbi bazën e konceptit poetik që u përmend shtrihet në dy rrafshe: në atë personal, që lidhet me botën e poetit, me preokupimet e tij, me shqetësimet, me pësimet, me gjithë atë që përjeton si një trup, si një qenie që është e varur shumë nga rrethi, nga e kaluara, nga e tanishmja, dhe në rrafshin nacional dhe gjithë njerëzor.

Rrëfimi poetik shtjellohet dhe shprehet përmes një gjuhe poetike me cilësi konotuese të mëdha, me forcën shprehëse, që kërkon përpjekje për ta receptura në plotninë e saj. Shqetësimet e poetit janë të shumta, të ndryshme, por edhe të përhershme: “Zjarr kohe në shpirt ruaj” dhe “Zjarrin tim që s’shuhet dot”. Poeti vëren kotësinë e veprimit, pamundësinë e ballafaqimit dhe të ngadhënjimit të dëshirave e të synimeve. Ideali i tij është jeta ku s’ka vaj e s’ka lot, por ajo është vetëm një përfytyrim, një rrjetë e merimangës së gjumit të tij. Përmes poezisë së tij dëshmohet morfologjia edhe shqisave, që krijon mundësi të pakufishme njohëse dhe komunikuese.

Ky koncept poetik në poezinë e Ramadan Musliut është përligjur me shkathtësi dhe ka funksion të shumëfishtë në secilën poezi e cikël dhe në të gjitha përmbledhjet me poezi që botoi. Fillon me elementet e krijimit të gjithësisë, vazhdon me shenjat e trupit, me shenjat e njohjes, me kujtesën (memorien) e gjallë, me mërgimin e trupit dhe përmbyllet me pasqyrën e të rrëfyerit, që është një rrëfim poetik i zhvillimit dhe i qenësisë së morfologjisë së qenies, i shqiptuar nëpërmjet një teksti poetik të përftuar me shkathtësi, cilësi e poetit të madh.

III
Në fushën e studimit të letërsisë Ramadan Musliu, po ashtu, përligji një rrafsh të lartë, qoftë të studimit të veprave të shkrimtarëve tanë të periudhave të më hershme, qoftë të veprave të shkrimtarëve tanë bashkëkohorë. Në shkrimet e tij ai zbatoi një interpretim modern, duke e parë tekstin nga aspekte dhe nga përbërës të rëndësishëm, sidomos u mor me veçantitë e shtjellimit të tekstit poetik e të mesazheve që dalin prej tij. Me fjalë të tjera, ai tregoi një njohje të dukshme të problemeve të letërsisë dhe një aftësi për të venë komunikim edhe me tekstet poetikisht të ndërliqshme, që kërkojnë jo vetëm një lexim më të vëmendshëm, po dhe një interpretim më kompleks.

Aftësinë e tij për të komunikuar me strukturat gjuhësore poetike të ndryshme dhe për t’i interpretuar ato në mënyrë moderne Ramadan Musliu e dëshmoi qoftë kur i vështroi veprat në poezi, qoftë veprat në prozë. Në të dy rastet ai i ndriçojë vlerat poetike shprehëse të tekstit, si përbërësi qenësor i çdo vepre letrare. Pra, ai nuk u mor me emrat e autorëve, po me tekstin e veprave që krijuan ata dhe me mënyrën si i shqiptuan dukuritë.

Ramadan Musliu aftësitë e vet e përligji edhe me faktin se nuk u përsërit edhe kur shkroi për veprat e të njëjtin autor, gjë që dëshmon se ai jo vetëm u bëri atyre lexime të thella e të veçanta, po dhe i interpretoi në mënyra të ndryshme.

Për të qenë studimet, përkatësisht interpretimet sa më të ngritura dhe moderne, autori përdori në to një sistem nocionesh që zbatohen gjithandej në studimet moderne të letërsive të tjera në Evropë dhe më gjerë. Pikërisht ky përbërës kushtëzoi që ato të kenë vlera të dukshme brenda studimit tonë të letërsisë dhe shërbyen edhe për autorët e tjerë si model për interpretimin e veprave letrare dhe ndriçimin e dukurive të qenësishme të tekstit letrar poetik.

Duke pasur parasysh vlerat e poezisë dhe të studimeve të tij letrare, që u përmendën më lart, juria njëzëri propozon që Shpërblimi letrar Beqir Musliu për vitin 2017 t’i jepet shkrimtarit Ramadan Musliut.

KOMENTE