DYLON

Ja çfarë u sekuestrua në operacionin policor në Karaçevë

Ja çfarë u sekuestrua në operacionin policor në Karaçevë
Avatar photo Redaksia

Realizohet operacioni policor ndaj të dyshuarve për “Organizim të skemave piramidale dhe  bixhozit të paligjshëm”.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës, Gjilan, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me  Prokurorinë Themelore në Gjilan,  sot me  15 dhjetor  2021, kanë ekzekutuar urdhërkontroll në fshatin Karaçevë, komuna e Dardanës.

EkoHigjiena

Sipas tij, operacioni policor ka filluar që në orët e hershme të mëngjesit si rezultat i një hetimi në vazhdimësi dhe të bashkërenduar mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm dhe aktivitete tjera. 

Në këtë rast janë arrestuar dy (2)  persona  të cilët  janë intervistuar  në prezencë të  avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të  prokurorit të shtetit  të dyshuarit  janë  ndaluar për 48  orë. 

Zëdhënësi hashani tha se si vazhdimësi e operacionit janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse ku jetojnë të dyshuarit si dhe objektet tjera ku janë  zhvilluar veprimtaritë e lojërave të fatit.  

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: 

Nëntëdhjetegjashtë (96) aparate të lojërave të  fatit, katër (4) shtëpiza  kompjuterike, tre (3) laptop , tre (3) monitor, dy (2) TV që janë përdorur për lojëra të fatit, një (1) pistoletë e llojit Ekol special 99 së bashku me shtatëmbëdhjetë (17) fishekë , një (1) gjenerator  si dhe  469,15 euro (të gjeturat  në aparatet e lojërave të fatit).

Të  gjitha aparatet (96 copë) dhe një (1) gjenerator sipas procedurave të parapara iu janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtutjeshme.

“Në  vendngjarje në fshatin Karaqevë, Inspeksioni Komunal i Komunës së Dardanës ka asistuar Policinë e Kosovës në rrënimin e tri objekteve  të cilat janë ndërtuar  pa leje  në të cilat kanë qenë duke u ushtruar veprimtaritë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ndërsa një objekt  tjetër, është  mbyllur dhe  shirituar nga Inspeksioni  Komunal, Dardanë”, ka thënë tutje Hashani.

Lidhur me këtë rast hetimet  janë në vazhdim e sipër dhe në kërkim  të personave tjerë  si të dyshuar të mundshëm të përfshirë në këtë rast. 

“Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore, përfshirë edhe kërkimin e disa personave të tjerë  si të dyshuar të mundshëm”, ka thënë zëdhënësi Hashani. /2LONLINE/