Një marrëveshje e bashkëpunimit që u nënshkrua të premten në Viti, nga Kryetari i Komunë së Vitisë, Sokol Haliti dhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i hapë rrugë ndërtimit të rrugës Ballancë – Kravaricë.
Lexo: Rrugën Ballancë – Kravaricë do ta ndërtojnë bashkë
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu vlerëson se Gjilani e Vitia, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për investimin e rrugës e cila lidhë dy fshatrat e këtyre komunave, respektivisht Kravaricën dhe Ballancën, për të krijuar kështu korridorin e ri të qarkullimit të qytetarëve dhe ndikimin në zhvillimin e një sërë fshatrave të këtyre lokaliteteve në këtë zonë.
Kadriu thotë se kjo marrëveshje është në funksion të hapjes së rrugëve të reja në infrastrukturë që qëllim kryesorë kanë lidhjen mes vete të fshatrave të zonës e cila përfshinë një rreth të gjerë të banorëve mes dy Komunave.
“Është një zonë e cila do të lidhet mes vete dhe qarkullimi do të shkurtohet dukshëm. Gjatësia e kësaj rrugë është prej një kilometër ndërsa gjerësia e saj është 5 metra dhe ndihmon jashtëzakonisht shumë për zhvillimin e kësaj zone, për komunikim më të lehtë të banorëve të këtyre anëve dhe njëkohësisht edhe kthimin e vëmendjes drejtë fshatrave të kësaj ane”, thotë nënkryetari Kadriu.
Sipas tij, vlera e investimit është mbi 110 mijë euro dhe planifikohet që punimet të nisin gjatë muajit shtator. Ndërkohë që ka shtuar se qëndrim i kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, është që bashkëpunimi ndërkomunal dhe investimi në fshatra të jetë i barabartë me investimet në qytet.