Fjalimi i Ismajl Kurteshit në Kuvendin Republikës së Kosovës, e enjte, 9 tetor 2014
Qytetarë të nderuar,
Të nderuar deputetë,
Në një situatë ku procesi zgjedhor nuk kontestohet dhe ku zgjedhjet ose marrëveshjet politike prodhojnë shumicë parlamentare e cila në një sistem demokratik si ky i yni e ka të drejtën e formimit të institucioneve, realisht krizë institucionale nuk duhet të kishte. Pengesat që mundohet t’i nxjerrë pakica parlamentare nuk zgjidhen me pritjet, siç po presim e as me lutjet, siç po i lusim.
Nëse të gjithë e pranojmë se populli është sovrani, atëherë pajtohemi se të zgjedhurit e tij, pra deputetët, në mes dy palë zgjedhjeve i përfaqësojnë interesat e tij dhe se komentet e njëanshme të kujtdo qofshin nuk mund t’i pengojnë deputetët në realizimin e misionit të tyre.
Edhe pse nga zgjedhjet e 8 qershorit asnjë subjekt nuk ka dal fitues, subjektit që ka dalë i pari i është mundësuar që i pari ta propozojë kryeparlamentarin dhe ta votojë atë, siç e parasheh rregullorja. Por, kur mungojnë numrat, siç i munguan PDK-së më 18 shtator, është normale që kjo e drejtë t’i kalojë VLAN-it, që e ka shumicën parlamentare.
PDK, që herë konteston e herë angazhohet për koalicion paszgjedhor, duhet të përcaktohet a është pro apo kundër koalicionit paszgjedhor. Nëse është pro koalicionit paszgjedhor, atëherë pse PDK po përpiqet ta pengojë koalicionin e VLAN-it në të cilin ajo vetë nuk është e përfshire? Nëse është kundër koalicionit paszgjedhor, atëherë pse PDK po insiston që t’i takojë liderët e VLAN-it me qëllim të arritjes së marrëveshjes që do t’i mundësonte edhe PDK-së të jetë pjesë e koalicionit pazgjedhur qeverisës?
PDK është e vetëdijshme se pa koalicion pas zgjedhor nuk mund të krijohet Qeveria pasi që në zgjedhjet e 8 qershorit asnjëri subjekt politik, madje as koalicioni PDK, PD, e të tjera, nuk e fitoi shumicën e ulëseve të Kuvendit.
PDK, duke e kontestuar parimin bazë të demokracisë, pra të drejtën e shumicës për të marrë vendime, po e vë në pikëpyetje rendin kushtetues të vendit. Në këtë pikë nuk mund të lëshohet pe sepse nuk bëhet fjalë më për një pozitë ose për një pjesë të pushtetit, por për sistemin shoqëror nga i cili as nuk bën e as nuk mund të heqim dorë.
Në këtë situatë, VLAN-i duhet ta kuptojë se sa do që të pret, zgjidhja nuk vjen vetvetiu, se arsyetimi që pakica po e bllokon krijimin e institucioneve nuk arsyeton mos veprimin e VLAN-it. Përgjegjësia për daljen nga kjo situatë bie para së gjithash mbi shumicën parlamentare dhe se grupi i deputetëve që përbëjnë shumicën përbëjnë autoritetin më të lartë të vendit që duke e respektuar Kushtetutën dhe procedurat zgjedhore, por pa hequr dorë nga parimi bazë i demokracisë, të vazhdojë me konstituimin e Kuvendit të Kosovës e pastaj edhe të Qeverisë së vendit. Vend për kompromise dhe as kohë për të pritur nuk ka. Prandaj, konsideroj se është koha për të vepruar dhe të mos i lëmë qytetarët e Kosovës duke pritur diçka që nuk vjen vetvetiu.