Izmi Zeka në krahë të reformatorëve!

Izmi Zeka në krahë të reformatorëve!

Izmi Zeka, që dikur drejtonte Degën e PDK-së në Gjilan vlerëson se kur është në pyetje drejtimi i kësaj dege, ai ka kryer misionin e tij, dhe tani për tani, nuk ka ndonjë pretendim për rikthim, por do të angazhohet maksimalisht që zgjedhjet e brendshme në këtë degë të shkojnë mbarë dhe të jetë në krah të kuadrove reformatore.

“Unë kam kryer misionin tim në Gjilan dhe do të mundohet që të ndihmoj kuadrot reformatore të PDK-së. Ky subjekt politik dhe dega në Gjilan, po ecë para dhe shikimi mbrapa i takon të kaluarës sonë të përbashkët”, ka thënë Zeka për 2LONLINE.

I pyetur se kush duhet ta drejtojë Degën e Gjilanit, Zeka që është anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, thotë se jo vetëm dega e PDK-së në Gjilan, por edhe vet Komuna duhet të udhëhiqet nga njerëzit që jetojnë dhe bëjnë punë në Gjilan, që ballafaqohen me përditshmërinë gjilanase.

Kur është në pyetje gjendja aktuale në Degë, Zeka thotë se kanë degën me kryetar dhe janë në fazën e konsultimeve për zgjedhje në Rini, Gruan Demokratike dhe në degë, ndërsa PDK ka caktuar Uran Ismajlin përgjegjës për të qenë pjesë e përcjelljes dhe angazhimit të procesit zgjedhor në Gjilan, sikur shumë anëtar të PDK-së, që janë caktuar nëpër degë të tjera.

“Jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën e mundshme për një parti e cila i prin proceseve në Kosovë e në këtë kontekst në Gjilan. Dega e PDK-së, do të bëjë reformë në të gjitha shtyllat e saj për të qenë pjesë e lëvizjes dhe proceseve të rëndësishme në Kosovë, e edhe në Gjilan. Të gjithë ata që ia bëjnë dertin PDK-së, e që në fokus kanë vetëm interesin e tyre, kanë me u kthye të dëshpëruar dhe nuk do ta kenë kënaqësinë për realizimin e aspiratave personale”, ka thënë Zeka, për 2LONLINE.

Zeka, që mban edhe postin e zëvendësministrit, ka thënë se të gjithë skeptikëve mund t’iu tregojë edhe një herë se të gjitha rrugët, edhe për një dekadë, qojnë te PDK-ja, e cila di të fitojë edhe kur të tjerët i vërsulen, e shantazhojnë, e çka jo tjetër.

KOMENTE