Izmi Zeka: Gjilanasit nuk e meritojnë një qeverisje pa ide dhe pa kreativitet

Izmi Zeka: Gjilanasit nuk e meritojnë një qeverisje pa ide dhe pa kreativitet

“Gjilanasit nuk e meritojnë një qeverisje pa ide dhe pa kreativitet. Fatkeqësisht kjo po ndodh në komunën e Gjilanit, për të cilën paguajmë taksë”.

Kështu shprehet, Izmi Zeka, anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për të shtuar se qeverisja komunale në Gjilan do të duhej të ishte shembull tani, pasi qeverisja qendrore ka mundësuar që shumë projekte të shkojnë në komunë.

Zeka, që dikur drejtonte degën e PDK-së në Gjilan, subjekt ky që tani është opozitar në Gjilan, thotë tutje se është në duar të qeverisjes gjilanase në krye me z. Lutfi Haziri që të menaxhojë këto projekte por edhe të di, destinimin e tyre.

“Përveç saj dhe këtyre projekteve, qeverisja Haziri duhet të lirohet nga njerëzit me afera korruptive dhe të mundësoj punën profesionale në komunën që e menaxhon ai. Duhet të kuptojë qartë kjo qeverisje se ka ikur koha kur me folklorizëm dhe patetikë janë ushqyer qytetarët e komunës. Gjërat janë të prekshme dhe konkrete andaj më shumë se kurrë qyteti i Gjilanit ka nevojë për ide fleksibile të cilat mundësojnë zhvillim ekonomik”, ka thënë Zeka, që aktualisht është zëvendësministër në Ministrinë e punëve të Brendshme. AI ka shtuar se këto vitet e fundit kemi një zhvillim të hovshëm të ndërtimeve të larta të cilat fal bizneseve të respektuara po i japin Gjilanit gjallërinë e një qyteti urban.

Ndërsa, sa i përket zhvillimeve në subjektin e tij, PDK-në e Gjilanit, Zeka, thotë se PDK-ja tani është në fazën e zgjedhjeve ku po arrin të menaxhojë suksesshëm këtë proces të rregullt demokratik. PDK-ja tani e ka të qartë se vetëm reformat cilësore me kuadro të rinj dhe të rritur në frymën e PDK-së e kthejnë fuqishëm në qeverisje, thotë ai.

“Mbase është një qëndrim i qartë dhe i prerë i PDK-së dhe kreut të shtetit, z. Hashim Thaçi se njerëzit të cilët kanë aktakuza për keqpërdorime të lëshojnë rrugë figurave që janë të paprekshëm në këtë drejtin. Prandaj Gjilanin e pret një rikthim i fuqishëm me PDK-në në krye dhe me njerëz profesional dhe të ekuilibruar politikisht. Ora e historisë nuk kthehet prapa prandaj PDK-ja ka nevojë për gjak të ri dhe kualitete të reja”, ka thënë Zeka.

KOMENTE