(2L ONLINE) – Një lajm i mirë për gjyqtarët kosovarë, në prag të fillimit të kampionatit të ri. Tani puna e tyre do të vlerësohet më shumë, për dallim nga e kaluara. Kështu, mëditjet e gjyqtarëve janë rritur gati për 40 për qind më shumë. Tani e tutje, gjyqtari kryesor në Raiffeisen Superligë do të paguhet 100 euro, 35 më shumë se sa deri më tani. Rritjet janë bërë edhe për vëzhguesit dhe kontrollorët.
“Me qëllim të krijimit të kushteve dhe rritjes së cilësisë në ndarjen e drejtësisë KE mori vendim që të rrisë kompensimet për gjyqtarë edhe atë: Gjyqtari kryesor në Raiffeisen Superligë do të kompensohet me 100 euro, asistentët me 80 euro, gjyqtari i katërt me 50 euro, ndërsa vëzhguesi me 80 euro e kontrollori me 60 euro. Në këto shuma përfshihen të gjitha shpenzimet për ta”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Ngritjet janë bërë edhe në Ligën e Parë dhe në të dytën. “Në ligën e parë, gjyqtari kryesor do të kompensohet me 80 euro, asistentët me 60 euro, ndërsa vëzhguesi me 70 euro e kontrollori me 50 euro.
Në këto shuma përfshihen të gjitha shpenzimet për ta. Në ligën e dytë, gjyqtari kryesor do të kompensohet me 70 euro, asistentët me 60 euro, ndërsa vëzhguesi me 60 euro. Në ligën e juniorëve, gjyqtari kryesor do të kompensohet me 40 euro, asistentët me 30 euro, ndërsa vëzhguesi me 40 euro”.